Lajmet e fundit

Të mërkurën e 24 dhjetorit, Agron Dobrani po kthehej te shtëpia në fshatin Zajm të komunës së Klinës, aty ku familja e tij thotë se jeton nga viti 1958.
Por, sapo iu afrua oborrit, dicka e pazakontë i kishte rënë në sy tek ara përballë shtëpisë..
Aty, ishte vendosur një tabelë e bardhë ku shkrunte “pronë private” dhe poshtë saj një numër telefoni.
Dobrani thotë se s’arrinte ta besonte se toka, të cilën e kishte trashëguar nga gjyshi, tashmë dikush i huaj e kishte tjetërsuar e këtë e kishte kuptuar veç kur e pa tabelën e ngulitur në tokë.
Ai ra sebep dhe i gjithë fshati mori vesh se tokat e tyre kishin nisur të tjerësoheshin nga disa persona të panjohur.
E për këtë ka edhe dëshmi.
Me personin që pretendon se ia mori pronën, pra Muharrem Berishën thotë se është takuar dhe i njëjti i kishte thënë se tokën e kishte blerë nga pronari serb.
Ndërkaq, sipas banorit, procedurat e përkthimit të tokës nga pronari serb në emër të tij, i kishte nisur që 8 muaj, te noteri Granit Gërvalla.
E krejt kjo thotë se është bërë nga njerëz sic i quan ai “të fortë”, me qëllim që t’ia marrin tokat e tyre për përfitime të veta, përmes dokumente të falsifikuara.
Por, ky nuk është banori i vetëm i fshatit Zajm, të cilëve rrezikohet t’iu tjetërsohen pronat.
Në një situatë të njëjtë gjenden edhe rreth 30 bashkëfshatarë të tjerë.
Ndaj disave kanë nisur procedurat e përkthimit të pronave nga pronarët serbë te ata shqiptarë, e disa të tjerëve vecse ua kanë tjetërsuar.
Banorët thonë se ka javë që s’po mund të bëjnë gjum në sy duke pritur se kur e kush po vjen t’i përzë nga shtëpitë e tyre.
Në maj të vitit 2021 një tjetër banor kishte filluar procedurat e përkthimit të pronave të tij, por doli dikush më i shpejtë dhe njëra parcelë e tij u bë pronë e dikujt tjetër, ani pse procedurat e përkthimit kishin qenë të hapura që 4 vjet.