Lajmet e fundit

Jorge Luis Borges
(Argjentinë)
Askush nuk e pa të zbarkonte në natën e njëtrajtshme, askush nuk e pa kanoen prej bambuje të zhytej në baltovinën e shenjtë, por pak ditë më vonë të gjithë e dinin se njeriu i heshtur vinte prej Jugut dhe se atdheu i tij ishte një prej fshatrave të pafundme që gjenden rrjedhës së sipërme, në brinjën e egër të malit, ku gjuha zend nuk është ndotur me greqishte dhe ku lebra është e pazakontë. E vërteta është se njeriu i hirtë e puthi baltën, ngjiti bregun pa mënjanuar (me siguri, pa ndier) tehet e gjetheve që i hapnin mishrat dhe u zvarrit, i marramendur dhe i gjakosur, deri tek lëmi qarkor që kurorëzohet nga një tigër apo kalë prej guri, i cili dikur pati ngjyrën e zjarrit, por tani atë të hirit. Ajo rrethore është një tempull që e patën përpirë flakët e moçme, që xhungla e veremosur e pat përdhosur dhe që zotit të të cilit nuk i ofrohen më nderet e njerëzve. I huaji u nder mbi piedestal. E zgjoi piku i diellit. Vuri re, pa habi, se plagët ishin mbyllur; i mbylli sytë e zbehur dhe e zuri gjumi, jo prej lodhjes së mishit por prej vendosmërisë së vullnetit. E dinte se ai tempull ishte vendi që kërkonte qëllimi i tij i patundshëm; e dinte se pemët e pambarimta (rrjedhës së poshtme) nuk kishin arritur t’iu zinin frymën rrënojave të një tempulli tjetër të bekuar, po ashtu me zota të përvëluar dhe të vdekur; e dinte se detyra e tij e ngutshme ishte gjumi. Afër mesnatës e zgjoi klithma e pikëlluar e një shpendi. Gjurma këmbësh të zbathura, disa fiq dhe një shtambë, i treguan se njerëzit e zonës e kishin përgjuar me respekt gjumin e tij dhe kërkonin zemërgjerësinë e tij apo frikësoheshin prej magjisë së tij. Ndjeu të ftohtin e frikës dhe kërkoi strehë tek një qivur i shembur e u mbulua me gjethe të panjohura.
Qëllimi që e shtynte nuk ishte i pamundur, edhe pse i mbinatyrshëm. Donte të ëndërronte një njeri: donte ta ëndërronte me imtësi të plotë dhe ta bënte real. Ky projekt magjik e kishte shteruar gjithë hapësirën e shpirtit të tij; nëse dikush do ta pyeste për emrin e vet apo për çdo gjë të jetës së tij të mëparshme, nuk do të arrinte të përgjigjej saktë. I leverdiste tempulli i shkretuar dhe i copëtuar, pasi ishte një pakësim i botës së dukshme; po ashtu edhe prania e druvarëve, pasi këta merreshin me plotësimin e nevojave të tyre modeste. Orizi dhe frutat, që i ofronin si nder, ishin të mjaftueshme për trupin e tij, të përkushtuar detyrës së vetme të gjumit dhe ëndërrimit.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: