Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të Bedri Rexhepit, me ç’rast është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë.
Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit, së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe, gjatë verifikimit të terrenit, është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë, në të cilin, pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse, janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e 'Rrëmbimit' dhe të njëjtat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore, transmeton Klan Kosova.
"Prokurori i Shtetit, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’ju mbajmë të informuar".
Kujtojmë se Bedri Rexhepi kishte dalë nga shtëpia më 8 prill të vitit 2021 dhe që nga ajo ditë ishte shpallur i zhdukur.
Ndërsa i dyshuari Jeton Vllasaliu e ka pranuar se e ka kryer vrasjen.
Për t'u informuar më shumë rreth këtij rasti, klikoni në linkun e mëposhtëm.
https://klankosova.tv/jeton-vllasaliu-e-pranon-vrasjen-e-bedri-rexhepit-ne-nje-pyll-po-kerkohet-trupi-i-tij-video/?fbclid=IwAR2w9FRXgkMQkXI313jJD6vgC3q5s-S17H1Q-HqlyQ3anHR_8TIUXGn4Jok
klankosova.tv