Lajmet e fundit

Një grua belge e cila ishte konvertuar në fenë myslimane e që kishte udhëtuar për në Siri duke e ndjekur burrin që donte, ka thënë se atje nuk është fare ashtu siç mendojnë dhe i ka këshilluar të tjerët që të mos e bëjnë të njëjtën gabim si ajo.
Laura Passoni, punonte në një supermarket ku edhe takoi burrin që më pas do të martohej. Vetëm kur udhëtoi për në Siri e kuptoi që premtimi për një jetë më të mirë që pretendohej nga Shteti Islamik, ishte gënjeshtër, transmeton Klan Kosova.
“Unë nuk isha e detyruar që të konvertohem në fenë islame, por ai më bindi”, u shpreh ajo për një televizion lokal.
Laura e takoi burrin e saj, Osama Rayan që është nga Tunizia, kur të dy po punonin në një supermarket në Belgjikë.
Ajo u dashurua me të dhe u dakorduan që të shkonte me të në Tunizi dhe eventualisht në Siri.
Nëna e dy fëmijëve jetoi në Al-Bab, një qyetet afër Aleppos në Siri gjatë viteve 2014 – 2015.
“Unë shkova atje në mënyrë vullnetare dhe me shumë dëshirë. Por më pas u radikalizova dhe u binda që kalifati ishte i vetmi vend për mua dhe familjen time, por pasi që shkova atje e kuptova se çfarë është terrori”.
Laura tregoi se si ishte e detyruar të qëndronte brenda në shtëpi për të pastruar dhe përgatitur bukë dhe kishte leje për të dalë jashtë vetëm në rast që shoqërohej nga burri i saj.
Kur u zhvendos për në Siri, ajo kishte marrë me vete edhe djalin e saj katër vjeçar që e kishte nga lidhja e kaluar si dhe fëmijën që kishte me tashmë burrin e saj mysliam. Por, shumë shpejtë e kuptoi që Siria nuk ishte vendi ku duhet t’i rriste fëmijët.
Duke folur për mënyrën e jetesës atje, Laura tregoi se gjërat atje ishin të shtrenjta.
“Në Siri nuk ka nevojë që të paguhen taksat, shëndetësia ishte falas dhe atje përdornin shumë medikamente alternative të cilat nuk përdoren në Evropë. Por jetesa ishte shumë e shtrenjtë dhe parat nuk mjaftonin”.
Por ajo pranon se kurrë asnjëherë gjatë qëndrimit të saj atje nuk është dhunuar në ndonjë mënyrë, mirëpo është e qartë se ajo ishte “e burgosur” pasi që shumë gjëra i’u ndaloheshin.
“Isha e ndaluar të bëjë pothuajse çdo gjë. Unë vetëm lejohesha që të kujdesesha për shtëpinë dhe fëmijët. Nuk mund të largohesha nga shtëpia ose ta përdorja internetin pa prezencën e një mashkulli”.
“Fillova të frikësohesha se do të mi merrnin fëmijët. Ishte krejtësisht e kundërta e asaj që ata premtonin me propagandën e tyre për Kalifatin”.
“Kështu që vendosa që të arratisem në momentin kur e kuptova që fëmija im mund të përfundonte në duart e terroristëve”.
Ajo arriti që të gjente një telefon mobil përmes së cilit komunikoi me prindërit e saj, mirëpo nuk ka dhënë detaje të mëtejshme se si ata e kanë ndihmuar atë që të ikte.
Por mediat lokale belge raportojnë se shkak për rikthimin e saj në atdhe ishte komunikimi në mes të autoriteteve të Belgjikës dhe disa xhihadistëve në Turqi të cilët në këtë mes kanë qenë ndërmjetësues mes palëve.