Në Qendren e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 13 nga 50 vendvotime.
Procesi i rinumërimit po vazhdon.
Kështu deklaroi për Klankosova.tv Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
"Sipas të dhënave, deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 13 vendvotime nga 50 sa është numri i përgjithshëm i tyre për të cilat ka marrë vendim KQZ. Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë", tha Elezi.
Ai theksoi se edhe gjatë ditës së sotme do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera.
Elezi theksoi se në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.
"Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve", theksoi ai.
"Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025".
"Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar", deklaroi në fund zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi./ Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.