Lajmet e fundit

Ato janë tregues se plakja po vjen… Bëhet fjalë për thinjat, që për shumë njerëz, e sidomos femrat, janë një shqetësim i madh. Por ka një lajm të mirë. Nga 25 mijë gjenet e njeriut, një prej tyre njihet për rolin që luan në rënien e flokëve. Ai është gjithashtu shkaktar për thinjat. Por, një studim i ri nxjerr se një ditë ne do të jemi të aftë ta shtyjmë këtë proces të pashmangshëm.
Studiuesit në “University College” të Londrës, kanë mbledhur mostra të flokëve nga mbi 6.000 vullnetarë të moshave 18 dhe 45 vjeç në Amerikën Latine. Ata po përpiqen të gjejnë se cili prej gjeneve është i lidhur me ngjyrën e flokut, dendësinë dhe formën e tij. Ata mësuan se gjeni i quajtur IRF4 ka lidhje të fortë me thinjat.
“Ky variant gjenetik i gjenit IRF4 ka dy forma; një formë është e pranishme në mbarë botën dhe forma tjetër është e pranishme vetëm tek evropianët. Dhe ne pamë se kjo formë e veçantë evropiane pothuajse i dyfishon shanset që floku të marrë ngjyrën gri,” thotë Kaustubh Adhikari, i “University College” në Londër.
Faktorë të tjerë si mosha dhe mjedisi gjithashtu kontribuojnë në rënien graduale të pigmentit melanin në flokë, që shkakton thinjat, shkruan tvklan. Por, shkencëtarët thonë se pasi ta zbulojnë plotësisht procesin se si IRF4 shkakton thinjat, ata do të mund ta ndalin këtë proces.