Lajmet e fundit

Shkencëtarët në Peru kanë rikonstukturuar fytyrën e lideres së fuqishme antike, përmes përdorimit të printerit 3D.
Gruaja e njohur si Zonja e Caos, i përkiste kulturës Moche në veri të Peru-së, dhe kishte vdekur 1,700 vjet më parë.
Eshtrat e saj ishin gjetur në vitin 2006 në rrënojat e piramidës të njohur si Huaca Cao Viejo, në afersi të Trujillo.
Ekspertët u mbështetën në strukturën e kafkës së saj dhe kërkimet etnografike, për të dalë me figurën që kërkoi 10 muaj të marrë formën përfundimtare.
“Me kënaqësi dhe një krenari të veçantë dua të ndaj sot me këtë panel dhe të gjithë të tjerët, faktin që Zonja e Caos e ka një fytyrë dhe ajo është fytyra e Perusë dhe e kulturës së këtij vendi”, tha Salvador del Solar, ministër i Kulturës në Peru.
Qëllimi i kësaj nisme, nga sa shpjegoi vet ministri del Solar është që bota të njihet më mirë me njërën prej zbulimeve më të rëndësishme arkeologjike të Perusë, ndërsa vendasve t’iu kujtohet edhe njëherë trashëgimia e tyre e pasur kulturore.
“Edhe pse vetëm një metër e gjysmë e gjatë, kjo grua ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ka pasur pozita gati të njëjta me Lordin e Sipanit. Figura e saj është e jashtëzakonshme, sepse na tregon ato çfarë duhet të dimë mbi zhvillimin e Perusë”, tha Salvador del Solar.
Zonja e Caos tronditi nga themelet bindjen se populli i lashtë Moche, që jetonte në luginën e Chicamas, ishte patriarkal. Ajo është varrosur bashkë me kurorën, me zbukurime floriri dhe bakri, si dhe një numër armësh.
Autopsia moderne e bërë trupit të mumifikuar, tregoi se duhet të ketë qenë në të 20-at kur ka ndërruar jetë, si pasojë ndoshta e komplikacioneve të shtatzënisë ose atyre të shfaqura gjatë lindjes.
