Lajmet e fundit

Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosova, mbrëmë opinionistët komentuan rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke vlerësuar veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe dobësinë e opozitës.
Aida Dërguti vuri në pah se opozita nuk arriti të kuptonte lojën e kreut të VV-së, Albin Kurtit, ndërsa sipas saj, Nisma pati kritikën më të artikuluar ndaj pushtetit. Dërguti gjithashtu theksoi se data e zgjedhjeve ishte e zgjedhur strategjikisht, për të përfituar nga diaspora, transmeton Klankosova.tv.
"Opozita e pat shansin historik që e humbi qysh në start, duke nxituar me deklarime që nuk janë për një qeveri të opozitës. Në fakt LDK-ja duke refuzuar që të dyja palët, dhe Nisma e cila nëse i shohim debatet e fushatës së 9 shkurtit, ka qenë më i artikuluari në kritikën ndaj pushtetit”, tha Dërguti.
Ilir Deda e përshkroi rezultatin si një “tërmet politik”, duke nënvizuar se kjo ngjarje përfundon një epokë politike në Kosovë dhe krijon një kaos që opozita nuk mund ta rikuperojë me lojëra të brendshme politike.
"Kaosi në të cilin e gjuan opozitën rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit, nuk rikuperohet me lojëra të brendshme politike e me filozofi ekzistuese për mbijetesë të individëve të cilët janë në politikë”, tha Deda.
Rrahman Paçarizi komentoi se LVV veproi me strategji që partitë opozitare nuk guxojnë t’i kundërshtojnë, duke shtuar se rezultati pasqyron një rikonfirmim të Kurtit dhe dobësi të opozitës.
"LVV ka bë veprime për të cilat e ka ditë me siguri që partitë opozitare nuk guxojnë me i kundërshtu. Janë disa veprime të cilat i ka marrë VV që e ka ditë me siguri të 100 për qind që partitë opozitare nuk guxojnë me i kundërshtu sepse veç dëmtohen edhe më shumë”, tha Paçarizi.
Nga ana tjetër, Natyra Kuçi nga PSD tha se opozita nuk ka dështuar si e tillë, por se ky lloj i opozitarizmit ishte i destinuar të dështojë. Ajo theksoi rëndësinë e kuptimit të qartë të qeverisjes së Kurtit dhe autoritarizmit të mundshëm të tij, duke kritikuar mënyrën se si opozita e ka trajtuar këtë çështje.
"Nëse themi se Kurti është fruth, kalon lehtë dhe e rrëzon veten, qysh ka mëndu përgjithësisht opozita në Kosovë, edhe kur kemi pasur takime private por edhe publikisht, kanë thënë e ose e rrëzon veten ose e rrëzon ambasada. Kjo është mos me e kuptu Kurtin. Kur nuk e kupton çka është Kurti dhe pushteti i tij, atëherë edhe diagnozën ia jep keq”, theksoi anëtarja e PSD-së.
Avni Arifi tha se më 9 shkurt partitë opozitare kishin një shans real, por sipas tij, ai u humb për shkak të mosbesimit dhe rivaliteteve të brendshme.
Arifi theksoi se LDK dhe PDK ende nuk e kanë tejkaluar rivalitetin e së kaluarës, gjë që u reflektua edhe në terren. Sipas tij, në LDK kishte hezitim për bashkëpunim me PDK-në nga frika e humbjes së votave, ndërsa edhe në PDK mungonte vullneti për një koalicion të tillë. Ai shtoi se kjo u pa qartë në Gjilan dhe Fushë-Kosovë, ku PDK nuk e mbështeti LDK-në.
“Mund të them se Kurti i ka sjellë në gisht partitë politike. Kishte frikë se mos Vetëvendosja përfiton dhe ata humbin vota”, u shpreh Arifi.
Opinionisti Labinot Balaj ka vlerësuar se periudha nga 9 shkurti deri në prag të zgjedhjeve ka qenë e mbushur me dinamika politike që, sipas tij, kanë shkuar në favor të strategjisë elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.
"Prej harkun kohor, prej 9 shkurtit deri në prag të zgjedhjeve ka ndodhur një frekuencë e madhe me dinamika, të cilat kanë qenë në funksion të strategjisë elektorale të VV-së. Këtyre dinamikave u ka kontribuuar shumë edhe opozita. E njëjta opozitë nuk ka ditë me i artikulu defektet e kësaj qeverie. Gjithmonë e ka varur shpresën tek disa instanca tjera”, u shpreh Balaj.