Lajmet e fundit

Adam Bradley, profesor i letërsisë në UCLA[/caption]
Ju i referoheni repit si rilindje e fjalës. Në çfarë formash ka rilindur fjala përmes repit?
Kur them që repi është renesancë e fjalës, ajo që e them është që është rikthim edhe te tingulli por edhe te sensi i gjuhës dhe vlerësimi i të dyjave në masë të njëjtë. Sa shpesh na ndodh që në përditshmërinë tonë dhe në jetët tona të punës, ne përfundojmë duke e përdorur gjuhën vetëm funksionalisht? Si mund të komunikojmë në mënyrë më të qartë apo obskurante nëse në fakt qëllim është mashtrimi? Sa rrallë pyesim: Si mund të komunikojmë më së bukuri? Ajo që këta artistë e kanë bërë është që kanë menduar për estetikën e gjuhës dhe e vendosin atë në spikamë të shprehjes së tyre. Si të krijoni tinguj që kanë kuptim kur fjalët nuk kanë? Prandaj ju mund të dëgjoni rep në një gjuhë që nuk e njihni dhe të gjeni diçka të bukur për fjalët – të gjeni diçka të bukur për flowin. Ritmi i vetëm mund të komunikojë diçka vërtet të fuqishme. Prandaj, kur po flas për rilindjen e fjalës, po flas për rilindjen jo vetëm lidhur me tregimet që artistët i rrëfejnë, jo vetëm për gjuhën eksplicite që nganjëherë i largon disa prej nesh nga hip hopi. Po flas vetëm për tingullin, për mënyrën se si rrokjet kërcejnë nga njëra-tjetra dhe krijojnë diçka të cilës i përgjigjemi pavarësisht lidhjes sonë me atë gjuhë.
Cilat kanë qenë argumentet më të vështira që ju është dashur t’i luftoni për ta ngrehur argumentin tuaj që repi i mirë është po aq i vlefshëm sa poezitë kanonike?
Gjëja e parë që duhet ta bëj është që t’i bind njerëzit që janë skeptikë për të menduar për poetikën e repit dhe për poetikën e teksteve të këngëve më gjerësisht në të gjitha zhanret - që t’i bëj njerëzit ta rimendojnë se çfarë është poezia. Që të jem i sinqertë, mendoj që e kemi një perceptim të gabuar. Ndoshta mësuesit tanë përgjatë viteve e kanë ndërtuar këtë gjë. Ndoshta, unë vetë si mësues e kam ndërtuar një gjë të tillë te nxënësit e mi. E kemi këtë perceptim të gabuar që poezia nënkupton të qenët e ngritur, që gjuha është ajo që është në piedestal, që nënkupton që janë vetëm sonetet e Uilliam Shekspirit. “Të të krahasoj me një ditë vere? Por ti je më e bukur dhe më e përmbajtur.” Kjo është poezi për shumë njerëz. Mirëpo poezia mund të jetë e shëmtuar për nga dizajni. Mund të jetë edhe stresuese, dramatike, e dhimbshme. Mund të jetë shumë gjëra. Mbi të gjitha, poezia mund të jetë e keqe. Në fakt, në secilin moment më shumë ka njerëz që shkruajnë poezi të këqija se sa që shkruajnë poezi të mira. Gjëja e parë që tentoj ta bëj është që t’i lëkund njerëzit me supozimin që poezia nënkupton diçka. Në fakt, poezia është një e folur përshkruese që shkrimtarët e përdorin për ta rehatuar veten e tyre në ritëm, rimë dhe gjuhë figurative. Këto të gjitha janë elemente të poezisë. Të gjitha këto janë elemente të tekst-shkruesve dhe që reperët në veçanti i vënë në përdorim dhe këtë u desh ta lëkundja. A ishte ky prezumim që vetëm pse dikujt nuk i pëlqente tingulli apo mesazhi në një këngë të caktuar të Jay-Z-së apo Eminemit, që kjo do të thoshte se nuk ajo këngë nuk ishte poezi vetëm pse nuk u pëlqente mesazhi - që nuk ishte e ngritur, që nuk ishte për natyrën apo dashurinë apo për diçka ekzaltuese që ne e mbajmë në piedestal. Gjëja e parë që thashë ishte që poezia mund të jetë për dashurinë apo për çorapet tuaja. Poezia mund të jetë për gjithçka.
Fjala rep do të thotë ritëm dhe poezi. Në librin tuaj ju përqendroheni po aq në ritëm sa në poezi. Pse e afron ritmi repin me poezinë po aq sa e afron fjala?
Po, po. Pikëlidhja midis poezisë dhe repit është rima. Rima, nëse e shikojmë origjinën e kësaj fjale në Angli, shkon pikërisht ideja e floëit / rrjedhës, si uji që po rrjedh në përrua. Gjëja që e mësojmë kur kalojmë kohë me poetë është që shpesh ata shtyhen nga ajo rrjedhë. Edhe pse në faqe nuk mund ta prezantojë veten si këngë apo si rrjedhë në atë mënyrë se si mendojmë për rrjedhën e Lil Babyt apo Cardi B-së. Megjithatë, është një rrjedhë që ndërtohet në aranzhimin e gjuhës. Sintaksa, struktura e fjalive, të gjithë këta terma që i përdorim për të mësuar si të rinj – se si të shkruajmë, se si të flasim, çfarëdo gjuhe që është, këto janë mjete që poetët i përdorin në faqe për ta krijuar rrjedhën e tyre. Edhe me reperët po ashtu është procesi i njëjtë i strukturimit të fjalëve në atë mënyrë që e krijon një lloj rrjedhe që mund të shtyhet shpejt, dhe ndoshta mund të ndalet dhe ngadalësohet, dhe të ridrejtohet, të përmbyset. Është ai kombinim i modeleve dhe pastaj vjen thyerja e atyre modeleve. Pra, krijimi i një strukture ritmike dhe mandej thyerja e saj – sepse si qenie njerëzore jemi kafshë në kërkim të strukturave, kemi dashuri të vërtetë për gjetjen e strukturave në botë. Njëra prej strukturave më të qarta që ne e identifikojmë është struktura e ritmit. Qoftë nëse është një fëmijë në gjoksin e nënës që e dëgjon ritmin e rrahjeve të zemrës e që është ritmi më elementar, apo qoftë nëse jeni duke qëndruar në plazh dhe duke dëgjuar dallgët që e rrahin rërën, dhe ritmin që një gjë e tillë e krijon. Ritmet kaotike rreth jush, me veturat, autobusët, njerëzit që zhurmojnë, janë një lloj strukture që mendja jonë e kërkon në atë kaos. Muzika e arrin këtë gjë, dhe poezia në veçanti, siç manifestohet në faqe ashtu edhe në performancat e reperëve, e krijon të njëjtin rend dhe larushi në tingull.
Keni guxuar ta imagjinoni një rep pa rimë në të ardhmen? Ashtu sikur vargu i bardhë e pastaj ai i lirë që e kishte pushtuar poezinë?
Kjo është një pyetje e mrekullueshme. Çfarë është repi pa rimë? Siç e kemi parë, ashtu si ju sugjeroni, në poezi ka pasur në fakt një shmangie që i është bërë rimës, nëse flisni për poetët më bashkëkohorë. Ne kemi një pritshmëri të caktuar në formë si dhe në fund të kallëpeve muzikore. Ajo që e kemi parë gjithnjë e më shumë sot është që ata po gjejnë mënyra të zgjuara për t’i kënaqur dëshirat e audiencës për atë jehonë tingulli që na e jep rima, por në të njëjtën kohë po i zgjerojnë mundësitë se çfarë mund të bëjnë. Çfarë kjo nënkupton, për shembull, dhe që e shohim me Eminemin në fillimin e 2000-tave, është që ai fillon të rimojë së tepërmi brenda vargjeve. Pra, jo vetëm në fund të vargjeve, por brenda tyre. Nganjëherë ai e përdor atë rimën e brendshme si mënyrë për ta kursyer veten nga rima në fund të vargut. Me fjalë të tjera, ajo që mendoj që do ta shohim gjithnjë e më tepër janë artistët që nuk janë domosdo të interesuar në shkollën e vjetër. Tani, ajo që do ta dëgjoni nuk është një test. Nuk po repoj mbi bitë, dhe unë me miqtë e mi do të provojmë që t’i lëvizim këmbët tuaja – ashtu si incizimet e reperëve të Sugar Hill Gangut e kishin lënë shenjën e tyre në botë. Reperët po i rezistojnë asaj rime fundi singsong, dhe po kërkojnë mënyra të tjera për ta kënaqur veshin e atyre dëgjuesve të cilët presin ndonjë tingull rime, mirëpo të realizuar përmes një sërë teknikash tjera. Prandaj po, mendoj që do ta gjejmë një kohë ku do të kemi shumë më pak rimë dhe më shumë lloje të teknikave të tjera, posaçërisht melodi. Kjo është ajo që po e dëgjojmë shumë te reperët e të sotmes, posaçërisht ata që kanë dalë nga pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos ata nga Atlanta e Xhorxhias. Ky stil mbështetet shumë më shumë në melodi dhe tingull dhe në improvizime se sa në rimimin e plotë në fund të vargjeve.
Shohim një duel midis poezisë dhe gjenerikës për repin? Si ta fitojë poezia...letrarja këtë duel?
Mund t’ju zhgënjej me përgjigjen, mirëpo mendoj që prej fillimeve, hip hopi e ka pasur një sensibilitet komercial. Njerëzit që i kishin kapur mikrofonat në ato vitet e hershme e kishin bërë këtë gjë për dashurinë ndaj gjuhës dhe tingullit, por edhe për dëshirën për të lëvizur lart në botë. Për këtë arsye poezia ka marrë hov nëpër glob, sepse është një tingull ndezës dhe revolucionar që krijon mundësi për njerëzit që ndryshe janë të heshtur - shpesh ata të rinj që duan të dëgjohen dhe që nganjëherë të dëgjohen në gjuhën më flagrante. E kjo vjen me këtë, por njashtu vjen edhe dëshira për t’u paguar. Nuk ka asgjë të keqe që të bësh para për artin tënd. Në fakt, mendoj që e bëjmë një punë të dobët në shumë shtete në botë, sa i përket kompensimit dhe mbështetjes së artistëve tanë. Ajo që hip hopi e ka siguruar për disa është kapaciteti për të krijuar struktura të caktuara formulaike që i kapin veshët e shumë njerëzve, dhe po ashtu brenda asaj formule, të krijojë momente të befasisë. Pra, ka të bëjë krejtësisht me ekuilibrin. Ta marrim shembull Draken, njërin prej artistëve më të suksesshëm në glob. Disa do të thoshin që ai ka formula të caktuara të asaj që e bën, duke përzier R&B-në me rep, duke kënduar dhe duke repuar – për shembull, duke i bërë disa këngë si dedikim për gratë e fansat, e disa të tjera duke tentuar që të jetë më hardkor reper. Këto janë lëvizje formulaike që ai i ka bërë. E megjithatë, përbrenda kësaj, ai ka gjetur mënyra për ta shprehur kreativitetin e tij të madh, duke e shtyrë përpara kulturën dhe duke e shtyrë përpara gjuhën në mënyra fascinuese. Unë jam skeptik sepse mendoj që shumë njerëz ngarendin pas artistëve dhe këngëve që na i fusin në turinj produksionet e mëdha muzikore. Mirëpo, nuk jam as mbi atë që të bën ta tundësh kokën kur bita është e mirë. Për këtë mendoj që është hip hopi, që të na bëjë të vetëdijshëm si dëgjues, që ta kuptojmë që si dëgjues dhe si fansa, ne po ashtu jemi konsumatorë dhe duhet të jemi të zgjuar dhe ta dimë se cila është shënjestruese dhe do që t’i prekë disa qendra të caktuara të kënaqësisë në trurin tonë, dhe cila është diçka që është vërtet origjinale. Vetëm edhe diçka të fundit lidhur me këtë. Mendoj që njëra prej gjërave më fascinuese që e kam mësuar nga kolegët e mi që studiojnë neuroshkencë është që trurit i bën mirë kur dëgjon muzikë të re, kur ka përvoja të reja muzikore. Në fakt i sfidon proceset tona njohëse në mënyra që janë njëmend produktive. E megjithatë, truri ynë po ashtu e kërkon atë që është e njohur për të. Prandaj ne mund të kemi rënie të tilla ku dëgjojmë vetëm diçka që është e ngjashme me atë që e kemi dëgjuar më parë. E shohim këtë edhe në praktikat tona të dëgjimit ku shumë njerëz më përpara dëgjojnë muzikë të para shumë viteve se sa që e dëgjojnë artin eksperimental më të fundit që vjen nga mendje të caktuara artistike. Është specifike për ju si dëgjues, që ta gjeni ekuilibrin midis komodes e të njohurës, dhe asaj që është sfiduese.
[caption id="attachment_1925146" align="alignnone" width="774"]
Jay-Z & Eminem[/caption]
Folk-muzikantët si Woody Guthrie dhe Bob Dylani duket se tashmë janë në panteonin e poetëve të mëdhenj. Pse është kjo e pashmangshme edhe për reperë të kalibrit të Jay-Z-së, Eminemit, Tupacut e Biggiet? Tek e fundit, cilat elemente e bëjnë një reper zë të të gjitha kohërave dhe jo vetëm të një periudhe?
Për mrekulli. Këto janë pyetje të mrekullueshme. U pata shtangur kur Bob Dilani e pati fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Kjo nuk më kishte habitur se mos mendoja që ai nuk e meritonte atë çmim, sepse që prej fillimit njerëzit e kanë konsideruar atë jo vetëm si këngëtar, tekst-shkrues apo si yll roku, por njashtu edhe si poet Ajo që më kishte lënë përshtypje ishte që kjo akademi e kishte marrë këtë vendim për ta bërë një deklaratë para botës që tekstet e këngëve mundet dhe duhet të konsiderohen në kuadër të traditës së gjerë të poezisë. Unë do të doja që njerëzit ta marrin edhe një hap më tutje se kaq. Më pëlqen të mendoj se çfarë do të ndodhte sikur t’i konsideronim të gjithë Bobët poetë. Jo vetëm Bob Dilanin por edhe Bob Marleyn, Bobi Gjentrin, Bob Weirin e me radhë, dhe ta zgjerojmë atë në zhanre të ndryshme të muzikës dhe të qasjeve të ndryshme të zejes së shkrimit të këngëve. Mendoj që repi paraqet korpusin më të fortë të këngës popullore ku keni artistë të cilët janë të vëmendshëm ndaj aranzhimeve të gjuhës dhe ndaj traditës së gjerë të kultivimit të gjuhës poetike. Mendoj që do të jemi pjesë e valës së ardhshme të atyre që do të merren në konsideratë për gjëra si Çmimi Nobel për Letërsi. Cilësitë që më vijnë ndërmend janë ato që janë të qëndrueshme, që janë më shumë se një hit Billbordi apo një hit global në Spotify e që pastaj na zhduken nga mendjet. Cilësitë që janë të qëndrueshme kanë të bëjnë me gjërat që e përbëjnë letërsinë e lartë, që gjithmonë na kthejnë te ajo që na ndriçon për përvojën njerëzore, dhe se si e bën këtë përmes veçorive të zërit të atij individi qoftë për veten e tyre si individë apo për karakterin që po e përfshijnë në tekst. Ta marrim si shembull Eminemin të cilin e përmendët si njërin prej artistëve potencialë që dikush mund ta marrë në konsideratë në këtë aspekt. Mendoni për këngë si “Stan” ku në atë këngë ai e ka këtë strukturë të kujdesshme për letrat që një fans ia shkruan artistit. Ka një dyfishim të personave ku e kemi Eminemin që na repon dhe pastaj e kemi Marshall Mathersin në këngë, e pastaj edhe këtë fansin që po i shkruan atij. Ky shtresëzim, ky strukturim është aq i sofistikuar e megjithatë i bërë aq pamundimshëm, në një mënyrë që nuk na ngarkon neve si dëgjues por në fakt na sjell bashkë me të. Rrugëtimi zbulon diçka për thellësinë e obsesionit dhe për një mori gjërash që kanë rëndësi për neve si njerëz, prandaj tekstet e mëdha e arrijnë këtë gjë – na çojnë në vende ku jetët tona jetojnë përmes tregimeve që ua rrëfejmë të tjerëve. Një gjë tjetër që ndodh në tekstet e mira të këngëve është vëmendja ndaj atyre detajeve të rimës, rrjedhës, gjuhës figurative dhe shndërrimit të së njohurës në të panjohur. Artistët më të mirë gjithmonë e bëjnë këtë. Ne mendojmë për Nasin për shembull, në këtë kuptim. Nasi do t’i mbushë 50 vjet më 2023, sikurse hip hopi. Nëse ia lëshoni një sy krijimtarisë së tij që nga periudha kur ishte adoleshent, ai i thotë gjërat e njohura në forma të panjohura.
Pi Dom P, shikoj Gandin deri sa të mbushem
Pastaj shkruaj në librin tim të rimave, krejt fjalët përtej kufirit
Me këto dy vargje ai na merr brenda hapësirës së kreativiteti të tij. Kjo e ka frymëzuar titullin e librit tim “Libri i rimave” – ishte ky varg dhe kjo që ai e kishte arritur brenda kësaj hapësire të vogël për të thënë diçka kaq të thellë. Kjo është ajo lloj gjuhe që do të mbijetojë, dhe këta janë llojet e artistëve që do të qëndrojnë.
Kur i thoni repit art publik, dhe marrë parasysh që tash reperët nuk janë autsajderë por ndër pikat më të mëdha të referencës dhe ndikimit në kulturën aktuale globale, i pajis kjo tash me një sens më të lartë përgjegjësie për atë që e thonë?
Reperë të mrekullueshëm po krijojnë art publik që bart me vete përgjegjësinë publike. Mirëpo, ajo për të cilën nuk insiston repi është mirësjellja. Kam mësuar nga Tupak Shakuri ndoshta më shumë se sa që kam mësuar nga kushdo tjetër, dhe jo nga njëra prej këngëve të tij, por nga një intervistë në të cilën flet se pse shumica e repit të epokës së tij – po flas për mesin e të ’90-tave – tingëllonte plot zemëratë, profane, që përdorte gjuhë që nuk i shkonte për shtati shoqërisë së mirësjellshme. Ai tha, mirë, kur tenton të trokasësh me mirësjellje në derën e barazisë, dhe ajo nuk hapet, atëherë ti fillon ta godasësh atë, fillon të reposh. Ai flet se si ta thyesh derën; pra, ideja e gjuhës si mjet për shprehjen e mundësive revolucionare brenda një komuniteti pa krijuar dhunë në botë. Ta dini që hip hopi si mënyrë për t’i shprehur pakënaqësitë në format më të potershme dhe të fuqishme pa i kapur në duar armët është diçka që mendoj se është në përputhje me përgjegjësinë publike dhe detyrën civile. Këta artistë e kanë kapacitetin për t’i renditur njerëzit drejt veprimit. Gjithnjë e më shumë po shohim reperë që marrin qëndrime të forta politike, që marrin qëndrime në një botë që i jep një lloj vëmendje artit të tyre në mënyra të reja. Kjo mund të mos qëndrojë gjithmonë. Nganjëherë ka qëndrime përçarëse. Nganjëherë thuhen gjëra që shumë njerëz i refuzojnë. Mendoj që ne gjithnjë e më shumë po shohim reperë dhe artistë të popit të të gjitha llojeve që e zënë atë hapësirë, si zëdhënës të komuniteteve të tyre, të kombeve të tyre, që flasin për atë që e besojnë se është e drejtë, që flasin në emër të fansave të tyre dhe që i dëgjojnë fansat e tyre për t’i formësuar gjërat që ata i thonë edhe në artin e tyre por edhe në jetët e tyre në sferën publike.
[caption id="attachment_1925147" align="alignnone" width="780"]
Nas[/caption]