Lajmet e fundit
Real Madridi ka bërë të ditur se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për vendimin e Komitetit të Apelit të Federatës Spanjolle të Futbollit

Komiteti i Apelit i Federatës Spanjolle të Futbollit gjatë ditës së sotme refuzoi ankesën e Real Madridit pas skualifikimit nga Copa Del Rey që kishin futur në lojë lojtarin e suspenduar, Denis Cheryshev.
Real Madridi kishte pretenduar se klubi nuk e ka ditur që lojtari është i suspenduar, një gjë të tillë nuk e ka ditur as lojtari, mirëpo Komiteti i Apelit i Federatës Spanjolle të futbollit ka bërë të ditur se vendimi mbetet në fuqi dhe se Real Madridi përfundimisht mbetet jashtë Kupës së Mbretit për këtë edicion.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Real Madridit, që kanë bërë të ditur se do të ankohen në gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Këtë e ka bërë të ditur klubi mbretëror përmes një komunikate për media, derisa kanë përsëritur se lojtari, Denis Cheryshev nuk ka qenë i njoftuar për suspendimin e tij.
“Ne kemi pranuar dhe diskutuar sërish vendimin e Komitetit të Apelit të Federatës Spanjolle të Futbollit, dhe përsërisim edhe njëherë se lojtari Denis Cheryshev nuk ka qenë i njoftuar për suspendimin e tij. E vetmja mënyrë që të zbardhet e vërteta, është që të dërgohet ankesa në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv dhe këtë do ta bëjmë”, ka bërë të ditur Real Madridi përmes një komunikate për media.
Ekipi i Rafa Benitezit tani ka edhe pak shpresë që të vazhdoj më tej në Copa Del Rey, mbështetet te Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Reali mund ta fitojë këtë betejë ashtu sikur Shqipëria. Pas incidenteve në Serbi, Shqipëria nuk mori tri pikë në tavolinë dhe humbi pothuajse gjitha betejat, por ishte gjykata e Arbitrazhit Sportiv që e pa të vërtetën duke ia dhuruar Shqipërisë tri pikë.
Edhe Real Madridi shpreson të njëjtën gjë, që CAS të vendos në favor të saj për të vazhduar në Kupën e Mbretit.