Shkoi në bjeshkët e Deçanit për të shëtitur.
Por, diçka që hëngri atje një gruaje rreth të 50-ave i shkaktoi telashe shëndetësore, pasi qëlloi të jetë prekur nga brejtësit e kontaminuar.
Andaj për trajtim u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku iu nënshtrua analizave, nga ku rezultoi të jetë rasti i parë i infektuar nga ethet e minjve, këtë vit.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, bëri të ditur për Klan Kosova se e njëjta po vazhdon trajtimin në këtë institucion dhe është jashtë rrezikut për jetë. E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon që ushqimet të ruhen nga minjtë dhe frutat e malit të mos konsumohen të palara.
https://www.youtube.com/watch?v=SfKuFjTQETg
''Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse'', thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sëmundja, gjithnjë sipas mjekëve, bartet përmes trakti respirator, tretës dhe lëkurës. E Instituti kërkon që në rast se dikush ka telashe, të paraqitet në kohë, pasi në rast të vonesës mund të bllokohen veshkat.
IKSHPK bënë me dije se virusi është më i përhapur në Dukagjin, Karadak dhe Shalë, varësisht nga shumimi i minjve.
E simptomat e tij janë plogështia, ethet, dhimbjet e shpinës, pengesat në urinim dhe manifestimet hemoragjike të hundës.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.