Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-shefin e prokurimit në KEK, Ymer Dragushën për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, duke e dënuar me dënim unik prej dy vjetësh burgim.
Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Dragushës për pikën e parë të aktakuzës i është caktuar dënim me një vit burgim, ndërsa për tri pikat e tjera nga tetë muaj burgim për secilën.
“Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit, raporton Kosova Press, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, Gjykata e ka udhëzuar Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore juridike ta realizojë në procedurë të rregullt civile.
Me aktgjykim, Dragusha është obliguar edhe t'i paguajë shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit
Ymer Dragusha kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, të cilën Gjykata e kishte miratuar në seancën e 7 shkurtit 2025.
https://klankosova.tv/njeri-nga-te-akuzuarit-pranon-fajesine-ne-seancen-per-keqperdorime-ne-kek/
●●●
Shpërndaje këtë artikull
SZ
SHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.