Lajmet e fundit
Sipas raportit, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima, ndërsa Instituti ka bërë të ditur se lista do të plotësohet me të dhëna të reja në vazhdim të procesit të dokumentimit.
Në prezantimin e raportit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se dokumenti paraqet një dëshmi institucionale për pasojat e luftës dhe sakrificën e qytetarëve të Kosovës.
"Ky raport përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori që nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi", deklaroi Kurti.
Raporti evidenton se ndër viktimat e dokumentuara janë edhe 1.047 fëmijë të vrarë të moshës 0 deri në 17 vjeç. Po ashtu, 94 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa për 100 të tjerë që u zhdukën me dhunë ende nuk dihet fati apo vendndodhja e tyre.
Sipas Kurtit, vrasja e më shumë se një mijë fëmijëve përbën një nga plagët më të rënda të luftës.
"Përtej së qenit statistikë tragjike, është plagë e thellë e shoqërisë sonë. Është akuzë e përhershme kundër barbarisë së luftës dhe detyrim për shtetin tonë që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të kërkohet dhe kujtesa të ruhet", u shpreh ai.
Të dhënat e raportit tregojnë se periudha më e rëndë e luftës ishte pranvera e vitit 1999. Gjatë muajve mars-qershor 1999 janë dokumentuar 9.948 viktima, që përbëjnë rreth 81.3 për qind të numrit të përgjithshëm të viktimave të përfshira në raport.
Kurti theksoi se këto të dhëna dëshmojnë intensitetin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit ndaj popullsisë civile, duke shtuar se dokumentimi i tyre mbetet përgjegjësi institucionale ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë së Kosovës.