Lajmet e fundit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri kritika të forta ndaj stukturës së krimit ekonomik në Policinë e Shtetit, duke thënë se nuk po ndryshon në punën e saj.
Gjatë prezantimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Rama tha se kjo strukturë ka kaluar nga parazitizmi në aktivitet banditesk.
“Struktura e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit është struktura më absurde, më jo eficente dhe me thënë të drejtën më kokëforta përballë çdo përpjekje për ndryshim që është bërë. Por ajo që ka ndodhur sidomos muajt e fundit është që ka kaluar nga parazitizmi në aktivitet banditesk. Kështu që duhet të rithemelohet, të merret me krimin financiar në shkallët e larta të aktivitetit ekonomik të vendit, të merret me milionerët në shkallët e larta jo si kategori, por ata që janë problem. Aty ku biznesi ndërvepron edhe me politikën dhe jo të dalë për gjah adresë më adresë, biznes më biznes. Ky është fundi që shyqyr e kemi kapur në fillim. Dhe bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese që nga Prokuroria, SPAK, SHISH deri te Tatimet e doganat duhet çuar në një nivel tjetër”.
Kryeministri foli edhe për Policinë Kriminale, për të cilën u shpreh se duhet të ristrukturohet.
“Policia Kriminale duhet të ristrukturohet tërësisht dhe duhet ndarë edhe më qartë vija e luftës me krimin e organizuar në shkallët kombëtare nga ajo me krimet ordinere në shkallë qarqesh e bashkish. Kemi fituar avantazhe të rëndësishme në terrenin e luftës me krimin dhe nuk mundet kurrsesi të vihen më në pikëpyetje, por përkundrazi duhen thelluar ndjeshëm dhe duhen thelluar pa humbur kohë”. /tvklan.al/