Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar ashpër Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, pasi pushteti ka vendosur që të bllokohet bartja e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.
Rama tha se është është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë ‘kundërkushtetuese’ të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave.
“Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Rama tha se nëse këto mjete nuk barten menjëherë, si komunë do ta konsiderojnë si një veprim të qëllimshëm nga Qeveria, për të bllokuar zhvillimin e kryeqytetit, njofton Klankosova.tv.
“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, deklaroi Rama.
●●●
RSHKRIMI NGA
Ramushi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.