Lajmet e fundit

Raketat e lëshuara nga Libani plagosën 11 njerëz, të shtunën në qendër të Izraelit, sipas shërbimeve emergjente izraelite, pasi njëra prej tyre goditi një shtëpi.
Luftime janë rritur dramatikisht në javët e fundit mes forcave izraelite dhe grupit Hezbollah në Liban, dhe shpresat për një përpjekje amerikane për armëpushim janë zbehur në ditët e fundit.
"Dola dhe pashë pluhurin, fëmijët duke bërtitur, gra duke bërtitur dhe të gjithë shkuan në shtëpinë që u godit", tha Qasim Mohab, një banor i Tira – vendi ku ra raketa.
"Arritëm të evakuonim dhe shpëtonim ata që ishin brenda shtëpisë, dhe falenderojmë Zotin që nuk kishte asnjë të vdekur", shtoi ai.
Shërbimi i ambulancave të Izraelit tha se 11 njerëz u plagosën nga copëzat, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Sirenat e alarmit vazhduan të dëgjoheshin në veriun e Izraelit ndërsa zjarri i raketave nga Libani vazhdoi, tha ushtria.
Të premten, ministria e shëndetësisë në Liban tha se 52 njerëz ishin vrarë nga sulmet izraelite në dhjetëra qytete në rajonin e Baalbekut.
Hezbollah, i mbështetur nga Irani, filloi të lëshonte raketat në mbështetje të aleatit të tij palestinez, Hamas, një ditë pas sulmit të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku thuhet se u vranë rreth 1 mijë 200 njerëz dhe u morën 251 pengje në Gaza.
Më shumë se 43 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e drejtuar nga Hamas, dhe të paktën 2 mijë 897 njerëz janë vrarë në Liban, tha ministria e tij në një përditësim të premten.
Sipas autoriteteve izraelite, 71 njerëz në Izrael dhe territoret e okupuar janë vrarë nga Hezbollahu.