Për herë të parë në Kosovë, këtë vit në qytetin e Ferizajt, do të mbahet Festivali i Muraleve i cili do të fillojë ditën e premte. Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet, për këtë festival, në të cilin do të marrin pjesë rreth 40 artistë.
Kryetarja e shoqatës së Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, në Ferizaj, Lebibe Topalli, tha se ka kohë që kanë filluar përgatitjet dhe pret që ky festival të marrë përmasa të mëdha.
“Kemi filluar përgatitjet shumë herët, prej marsit, dhe tani gjithçka është gati. Festivali është paraparë prej datës 16-22 shtator, që me 16 shtator do të jetë hapja që do të realizohet para Bibliotekës, tek bulevardi i qytetit, duke filluar nga ora 18:00".
"Është hera e parë që do të bëjmë organizime të tilla, ne kemi bërë disa murale të vogla me artistë të rinj por kësaj here mendoj që është më profesionale. Konkursi ka qëndruar i hapur dy muaj, kanë konkurruar profesionistë dhe ka qenë edhe komisioni profesionistë. Unë mendoj që do të jetë e bujshme dhe serioze”, tha Topalli pë TV Tema.
Artisti ferizajas Arbnor Karaliti, tha se ky festival është një mundësi e mirë që të shkëmbejnë përvoja me artistët e huaj që do të jenë pjesëmarrës të këtij festivali.
“Për 6 ditë rresht do të punohen murale në pjesë të ndryshme të qytetit, i kemi zgjedhur disa pjesë më të frekuentuara, pra për 6 ditë do të punohen rreth 3 apo 4 murale të cilat më shumë do të jenë simbolikë e qytetit tonë".
"Ne kemi menduar që ta paraqesim Hyjneshën e Varoshit, bletarinë e gjëra të tjera që e paraqesin qytetin, këto do të jenë tek Teatri, në pjesën afër hotel ‘’Lybetenit’’, në pjesën në hyrje të qytetit dhe pjesë të tjera”.
Përveç pikturimit të muraleve, gjatë 6 ditëve sa Ferizaj do të jetë nikoqir i këtij festivali, do të organizohen edhe vizita në Jezerc dhe te ‘’Bifurkacioni’’ me qëllim të promovimit të pjesëve turistike të qytetit të Ferizajt.
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.