15:02 - Këshilli i Prindërve: Pagat e mësimdhënësve duhet dhënë
Këshilli i Prindërve i Kosovës përmes një postimi në Facebook i ka bërë thirrje qeverisë që të ekzekutohen pagat për mësues.
Në reagimin e tyre thuhet edhe se grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo siç u shprehën ata me forma të tjera “disiplinimi”.
“Si Këshill i Prindërve kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush. Kundërshtimi ynë kryesor ndërlidhet me të drejtën monopolizuese të SBASHK për të “mbyllur” e “hapur” shkollat sipas vlerësimeve të pak individëve dhe në dëm të plotë ndaj fëmijëve e prindërve”, thuhet në postimin e tyre.
Tutje, ata thonë se nuk janë dakord që të krijojnë një situatë edhe më të rëndë se vetë greva, përcjell Klankosova.tv.
“Por, asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqenë dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”. Andaj, si Këshill i Prindërve i Kosovës i bëjmë thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës të bëjnë ekzekutimin e plotë të pagave të mësimdhënësve pa vonesë. Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin, së paku mos e bëni më keq”, thuhet tutje në postimin e tyre.
13:17 - Qeveria nuk do t'i ekzekutojë pagat e shtatorit për grevistët
Qeveria e Kosovës nuk do t'i ekzekutojë pagat për grevistët.
Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.
Kryeziu tha se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
"Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva" - tha Kryeziu.
12:34 - Tahiri: Nëse s’ekzekutohen pagat deri të premten, do të bëjmë kallëzim penal ndaj Muratit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit në një afat pesëditor atëherë do të bëjnë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Mosekzekutimi i pagave nga ministri i Financave është vepër penale, dhe ne do të bëjmë kallëzim penal. Do të presim pesë ditë të ekzekutohen pagat, nëse nuk ekzekutohen do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit”, ka thënë Tahiri.
Ai tha se Murati nuk funksionon mbi bazën ligjore por mbi tekat e veta.
“E kemi një ministër shumë arrogant të padijshëm , realisht nuk funksionon mbi bazën ligjore por mbi tekat e veta dhe kryeministri lejon që të mos ekzekutohen pagat duke shkaktuar vepër penale”, ka shtuar ai, përcjell Klankosova.tv
Ai tha se mësimi ka nisur në mënyrën më të keqe të mundur.
“Mësimi po fillon në mënyrën më të keqe të mundshme, se janë të fyer nga kryeministri e mazhuranca, janë të demotivuar dhe kjo është mënyra më e keqe e mundshme me fillu mësimi”, ka shtuar ai.
Sipas tij, mësimi do të duhej të fillonte me një marrëveshje dhe nuk duhej të cenohej angazhimi dhe puna e tyre.
11:47 - Kusari thotë se nuk do të kompensohen pagat për grevistët
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk do të kompensohen pagat për punonjësit e sektorit publik, që kanë mbajtur grevë gjatë muajit të kaluar.
Sipas Kusari-Lilës mos kompensimi financiar për grevistët mbështetet në ligj.
“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo mos kompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Ky ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë. Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët, të cilët nuk janë në vendin e punës”, tha Kusari-Lila. Në konferencën për medie.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se janë në pritje të azhurnimit të listave të punonjësve grevistë, nga agjencionet buxhetore.
11:16 -Nga SBASHK-u deklarojnë se gjatë ditës i presin pagat
Pagat për mësimdhënësit ende nuk kanë dalur.
Kështu kanë deklaruar për Klankosova.tv nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës.
Anëtari i Këshillit Grevist Reshid Kushaj, tha se presin që pagat të dalin gjatë ditës.
"Deri në momentin kur po flasim ende nuk kanë dal pagat. Presim që ato të ekzekutohen gjatë ditës. Të shtunën kur kemi pasur takim na kanë thënë që ka ndodhur një gabim teknik dhe se ato do të dalin sot" - tha Kushaj.
Sot ka nisur procesi mësimor pas pesë javësh grevë.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.