Lista esenciale e barnave është dokument zyrtar e si i tillë përmban rreth 200 lloje barnash, të cilat janë të nevojshme për shëndetin e pacientëve.
Secili prej këtyre produkteve do të duhej të ofrohej falas.
Megjithatë, qytetarët përditë detyrohen të paguajnë nga xhepi i tyre për secilin lloj ilaçi, kjo ngase shumica prej tyre, mungon.
Një sinjalizues i Kiks Kosovës, ankohet që ilaçi që tash e 12 vjet i duhet ta përdorë dy herë në ditë, për ta ruajtur veshkën e transplantuar, prograf, ilaç imunossupresiv që përmban tacrolimus si substancë aktive, është mungesë.
Ky ilaç përdoret për të parandaluar refuzimin e organeve të transplantuara, sidomos pas transplantit të veshkës, mëlçisë apo zemrës.
GRAFIKË ANONIM
Prograf (Tacrolimus) 0.5 mg janë barna esenciale për transplant të veshkës qe 12 vjet i blej. Këtë lloj nuk e kanë sjellë kurrë, 1 mg e kanë sjellë po është kapsulë që nuk ndahet në dy pjesë. Në Turqi, në të zezën kam marrë, janë 50 ose 70 veta që e përdorin me patjetër, para pak kohësh i kam ble 50 copa 50 euro. E së fundmi 20 euro një pako më të vogël, në të zezën e kam ble, as një muaj nuk bën, dy herë në ditë gjithqysh e përdori.
Sipas tij, pas kërkesave të shumta në Klinikën e Nefrologjisë, mori informacione që nga drejtoria e kësaj klinike kishin bërë kërkesë për t’u furnizuar me këtë ilaç, por përgjigje konkrete nuk mori asnjëherë.
Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2024 kishte ndarë rreth 60 milionë euro për Listën e Barnave Esenciale e listës iu shtuan edhe 68 medikamente të reja.
Por edhe pas krejt kësaj, problemet me barnat e kësaj liste vazhdojnë të jenë prezente në Kosovë.
Spitalet e Qendrat e Mjekësisë Familjare vazhdimisht janë në telashe e asnjëherë nuk ia dalin të përmbushin nevojat 100 për qind.
Kësisoj qytetarët detyrohen që t’i blejnë vet ato gjatë trajtimit mjekësor.
Në fundvit të 2024-ës, u raportua që kishte mungesë të "Ampula dikolofen” në depo të institucioneve shëndetësore të nivelit parësor.
Në tetor të po atij viti, në disa qendra të mjekësisë familjare, u konstatua mungesë e disa prej barnave esenciale si: Antibiotikë, barnat kundër dhimbjeve (analgetikë), Vitamina e përbërës në formë ampule.
Madje në komunat më të vogla, raportohej për mungesë antibiotikësh: Amoksicilin, Klaritromicin, Kloaksacilin dhe pluhur për tretësirë orale.
Mungesat tjera të barnave të listës esenciale janë edhe infuzionet fiziologjike NaCL dhe Glukozë dhe barna për presionin e gjakut.
Në mars të 2025-ës, ishte raportuar se operacione të planifikuara ishin anuluar për shkak të mungesës së NaCl-së.
Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, edhe ampula Kalium Chloride, është ilaçi i cili mungon qe 3 javë dhe përdoret për të trajtuar ose parandaluar mungesën e kaliumit në trup.
Mungesa që vërehet me të madhe është edhe ajo e Albuminave, proteina këto shumë të rëndësishme për trupin dhe që kanë funksione të shumta, sidomos në ruajtjen e balancës së lëngjeve në gjak dhe inde e çmimi i të cilave shkon mbi 25 euro.
https://www.youtube.com/watch?v=7QHV5CkbWGY
●●●
HASHKRIMI NGA
herolind ademi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.