Lajmet e fundit

Pas shujtës së mëngjesit, të burgosurit e repartit të dytë fillojnë të përgatiten për punë. Ata që dëshirojnë mund të angazhohen në pastrimin e hapësirave të përbashkëta, në punë brenda administratës, ose të vazhdojnë të ushtrojnë zanatin që kanë pasur para se të burgoseshin.
Puna është vullnetare, por për shumë prej tyre mbetet një mënyrë për ta strukturuar ditën dhe për ta thyer monotoninë e izolimit.
“Në 7.15 qelen dyert unë meniher shkoj ja nisi punës. Punoj atje në drejtori njëherë atje e pastroj drejtorinë, deri kah ora 10 – 10.30, tani mas 10.30ve deri kah ora 3-4 pasdite shkoj punoj rrobaqepës. Po qe ka edhe naj punë tjetër, se gjithë nuk ka punë në rrobaqepësi, shkoj tani punoj edhe naj punë tjetër”, thotë i burgosuri Feriz Gashi.
Gazetarja: Çka tjetër?
I burgosuri Feriz Gashi: Po ju nimoj me shkepë higjienën, a me palu a. Kur të vjen malli i kuzhinës me ju ndihmu edhe aty shkoj”, tregon Feriz Gazhi, i burgosur në BSL.
Gashi, i cili është rrobaqepës me profesion, i njeh mirë aparaturat e punës dhe kujdeset për qepjen dhe mirëmbajtjen e uniformave të të burgosurve. Për të, kjo punë është mënyra më e natyrshme për të mbajtur të gjallë zanatin që kishte jashtë mureve të burgut.
Gazetarja: Pse angazhohesh me punu brenda burgut?
“Angazhona se për fizikisht dhe psiqikisht është më mirë. E lehtëson burgun, atë dhimbjen, atë mundin e burgut që është shumë i rëndë, e lehtëson. E lehtëson duke punu e nuk rrin duke u kujtu e tu mëndu e me nejtë në burg, gjthmonë janë llafet e njëjta me të burgosur të tjerë, kështu që më mirë me punu”, tregon, Feriz Gashi, i burgosur në BSL për emisionin MAT në Klan Kosova.
Aparatura për prodhimin e qeseve ishte jashtë funksionit ato ditë, por Ferizi dhe disa të burgosur të tjerë nuk qëndronin pa punë. Ata angazhoheshin në riparimin e karrigeve të burgut, duke e shfrytëzuar kohën për të kontribuar në mirëmbajtjen e hapësirave dhe për të mbajtur rutinën ditore.
Për të gjitha këto punë, si dhe për angazhime të tjera të ngjashme, të burgosurit që e fitojnë të drejtën dhe zgjedhin të punojnë, paguhen nga 30 deri në 40 euro në muaj. Ky kompensim, edhe pse modest, u ofron atyre një mundësi për të pasur pavarësi të kufizuar financiare brenda burgut.
Për më gjerësisht, ndiqeni videon më poshtë: