Nuk ka asnjë fshehtësi pse xhekpoti i lojës së fatit Mega Millions hipi në 1.55 miliard dollarë, të martën, ditën kur bëhet tërheqja e nurmave fitues.
Shpërblimi u fry pasi askush nuk e qëlloi kombinimin e duhur të 6 “goglave” që nga 18 prilli, ani se tërheqja e tyre u bë 31 herë. Përpjekjet e pafata të më shumë se 4 muajve, mund të arrijnë në një përfundim me mjaltë për personin që ka gjasa ta qëllojë shpërblimin, i cili është për dy vende më poshtë se rekordi i kësaj loje, i kapur nga një fatlum në Kaliforni, më 2022. Ky mori hiq më pak se 2.04 miliardë dollarë
“Është një gjë zbavitëse”, tha Merlin Smith, një shitëse e pensionuar e patundshmërive, që të hënën u ndal në një stacion gazi në Minneapolis, për të blerë pesë tiketa të Mega Millions. “Por, nëse je i varur nga ideja se do të fitosh, mund të dëshpërohesh shumë”.
Pse duhet të kalojë kaq shumë kohë që dikush të fitojë?
Ka kaluar një goxha kohë shterpe pa fitues dhe tërheqja e 32-të, që bëhet të martën mbrëma, mund t’i sjellë shumë fat dikujt, ani se shpërblimi nuk është rekord.
Periudha më e gjatë pa fitues e Mega Millionsk ka qenë ajo kur u bënë 36 tërheqje “të kota” dhe e cila përfundoi më 22 janar 2021, me dikë që i arkëtoi 1.05 miliard në xhekpot. Numri rekord i tërheqjeve të llotarisë ishte për shpërblimin e Powerball, që përfundoi pas 41 jave dhe e cila i dha fituesit xhekpotin prej 2.04 miliardë dollarëve.
Fitoret janë aq të rralla pasi gjasat janë “të mjerueshme” – super fatmiri që triumfon është vetëm njëri nga 302.6 milionë lojtarët. Kur tërheqja dështon ta prodhojë një fitues të madh, çmimi trashet dhe përcillet në javët tjera. Shpërblimet më të mëdha bëjnë të shiten më tepër tiketa, që po ashtu shtojnë të ardhurat për fondet e shërbimit të llotarisë shtetërore.
Sa kombinime të numrave janë të mundshme?
Janë diku rreth 302.6 milionë kombinime të mundshme të numrave për pesë topat e bardhë dhe Mega Topin (Mega Ball) e veçantë e të artë, të Mega Millions. Numrat e bardhë janë nga 1-shi deri te 70-shi ndërsa Mega Ball shkon nga 1-shi te 25-shi.
Mos prisni që fituesi t’i deponojë 1. 55 miliardë dollarë në bankë
Po, është e vërtetë se paratë do t’ju japin qindra miliona, nëse fitoni xhekpotin e Mega Millions, por mos prisni që çeku prej 1.55 miliardë dollarësh do të dërgohet menjëherë në llogarinë tuaj bankare.
Kjo për faktin se shpërblimi i vlerësuar në 1.55 miliard është për një fitues të vetëm, i cili do t’i marrë ato për një periudhë kohore 30 vjeçare. Fituesit pothuajse gjithmonë zgjedhin të marrin atë që njihet si “pagesë totale e përnjëhershme”, e cila për tërheqjen e të martës mbrëma do të jetë dikur rreth 757.2 milionë dollarë.
Për cilindo variant të shpërblimit, një hise e mirë e parave do të shkojnë për taksa shtetërore dhe federale
Llotaritë shtetërore (të secilit shtet veç e veç në Amerikë) i marrin 24 për qind të fitimeve ndërsa që fatura mund të shkojë edhe më lart për shkak se shkalla më e lartë e tatimit për të ardhura federale hip në 37 për qind.
Përderisa ka më shumë njerëz që blejnë tiketa, po ashtu shtohen gjasat që më tepër se një person ta qëllojë kombinimin magjik të 6 numrave. Për shembull, shpërblimi i Powerball prej 1.586 miliard dollarë i vitit 2016, u fitua nga 3 veta, një në Kaliforni, tjetri në Florida dhe i treti në Tennesee.
Cila është mënyra më e mirë për të zgjedhur numrat e tiketës?
Në të shumtën e rasteve, ata që luajnë llotari, e zgjedhin variantin më të lehtë të selektimit të numrave, gjatë blerjes së tiketave – e lënë aparatin t’i gjenerojë vetë shifrat. Në Iowa, për shembull, më shumë se 90 për qind e blerjeve të tiketave të Mega Millions ishin nga njerëz që e lanë makinën të gjenerojë numrat, e nuk preferuan ta bëjnë këtë vetë. Gjasat për të fituar janë të barabarta, pavarësisht se a është përzgjedhes i kombinimit final të numrave kompjuteri apo njeriu.
Në cilat shtete luhet lotaria?
Mega Millions luhet në 45 shtete të Amerikës, përfshirë Washington D.C. dhe U.S. Virgin Islands. Kësi loje nuk ka në Alabama, Alaska, Hawaii, Nevada dhe Utah.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.