Lajmet e fundit

Deri vonë, buka me lëng, është konsideruar si njëri nga ushqimet më të dobëta që kanë konsumuar shqiptarët.
Madje, ky kombinim i thjeshtë, është vlerësuar si "hae" e fukarenjve.
Por, gjërat kanë ndryshuar për të mirë, në lidhje me këtë mëny "të zbehtë" të shqiptarëve. Sidomos pas luftës e këndej.
Ky kombinim tashti po konsiderohet si dicka që ka të bëjë me kthimin në traditë të ushqyerit shqiptar, sidomos në pjesën kosovare të kombit.
Buka me lëng, e diku-diku edhe me pak spec, mundësisht djegës, si njëfarë ushqimi i parë, para pjatës kryesore, është bërë pothuajse e pazëvendësueshme gjithandej vendit. Kulaqi i sapo dalë nga furra, i shoqëruar me produktin e bardhë të qumështit, mundësisht nga ai që bëhet si dikur nëpër katunde, po zë vend në tavolinat e shumë restoranteve.
"Nëse ne nuk e servojmë këtë ushqim tradicional - lëngun me speca dhe bukën e nxehtë, atëherë numri i klientëve bie dukshëm. Askush nuk vjen ta vizitojë restorantin", thotë për Klan Kosovën Besim Bajrami, kuzhinier te "Milenium" në Orllan të Podujevës.
Por si ndodhi ky ndryshim në shije, që e shndërroi bukën me lëng, nga një ushqim varfnjakësh, në një dicka pa të cilën rrallëkush e nis pjatën kryesore.
"Diçka e tillë kërkohet përshkak të traditës së madhe e cila gjendet tash e sa kohë në Prizren por edhe në gjithandej ku ka shqiptarë", i deklaroi Klanit, Besim Shkreli, pronar i restorantit Besimi-Beska në Prizren.
Buka me lëng po që ka shije, sidomos kur ata që e hanë janë të uritur.
Por, cfarë vlerash ushqimore ka ky kombinim, nuk dihet. Ende nuk është bërë ndonjë hulumtim për efektin në shëndetin e atyre që e konsumojnë.
‘’Lëngu me speca është ushqim natyral, prandaj si mund të themi që ky ushqim yni tradicional, por edhe natyral, nuk është i shëndetshëm?", pyet me habi kuzhinieri i një restoranti me emër në Kosovën qendrore.
Kërkesa për bukë e lëng po e rivalizon peshkun, një ushqim tjetër që u shpik pas luftës, e i cili, po ashtu, po bëhet i rëndësishëm për mënynë e shumë kosovarëve.
Megjithatë, i pari është para të dytit.
"As peshqit nuk janë më të kërkuar se lëngu me speca dhe buka e nxehtë e gatuar", insiston Bajrami, kuzhinier në Milenium".
E pos peshkut, buka me lëng ka lënë në hije edhe atë që deri vonë është konsideruar si ushqimi kryesor tradicional i shqiptarëve - flija, njofton Klan Kosova.