Lajmet e fundit

Protestat e studentëve në Serbi po vazhdojnë prej gati katër muajsh dhe tani për tani nuk po duket se do të marrin fund. Por nuk dihet se cili do të jetë as epilogu i tyre. Autoritetet në Serbi vazhdojnë të pretendojnë se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe i bëjnë thirrje komunitetit akademik që të angazhohet për dialog. Mirëpo edhe këto thirrje për dialog janë zvogëluar ditët e fundit. Krijohet përshtypja se krerët e regjimit kanë vendosur edhe një herë për taktikën e tyre të preferuar: blerjen e kohës dhe lodhjen e kundërshtarit.
Dorëheqja e kryeministrit nuk është konfirmuar ende në parlament dhe siç duket, nuk do të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën e ardhshme parlamentare të 4 marsit. Në praktikë kjo do të thotë se qeveria ka edhe pak muaj kohë për të vendosur nëse do të shkojë në zgjedhje apo krerët do të përpiqen të krijojnë një qeveri të re. Mendohet se deri atëherë protestat e studentëve ose do të pushojnë ose do të bëhen të parëndësishme.
Në të njëjtën kohë, si një mënyrë për të qetësuar opinionin publik, është nisur gjoja lufta kundër korrupsionit, ku kryesisht janë arrestuar ish-drejtorë të kompanive publike, për vepra penale të kryera disa vite më parë.
"Arrestimet e tjera për përvetësim që po ndodhin nuk kanë lidhje me kërkesat e studentëve, ndaj mendoj se e gjitha është thjesht një marifet publicitar dhe me një përfundim të paracaktuar”, thotë bashkëbiseduesi i DW.
E ashtuquajtura luftë kundër korrupsionit është një përpjekje e Partisë Përparimtare Serbe për të pasqyruar në mënyrë reaktive këto ngjarje dhe për të kryer një lloj menaxhimi të krizës, vlerëson për DW politologu Dejan Bursaq.
"Nëse je parti që ke probleme të shumta me korrupsionin, dhe tema kryesore në shoqëri tani për tani është korrupsioni, atëherë ke një problem për të cilin disi duhet të reagosh”, thotë ai. Nuk jam i sigurt se SNS do të arrijë ndonjë gjë me këto arrestime, sepse reagimi i njerëzve ndaj gjithë kësaj mund të jetë: ju e dinit për të gjitha këto, pse nuk keni bërë asgjë për të në vitet e mëparshme dhe tani po arrestoni kaq shumë njerëz brenda pak javësh.
"Ashtu si reagimi mund të jetë se këta janë thjesht peshq të vegjël. E nëse ata janë pasuruar kaq shumë, atëherë sa janë pasuruar ata që janë në pozita shumë më të larta nga vjedhjet," beson Bursaq.
SNS do të presë të shkojë në zgjedhje në një kohë më të qetë për të, sepse kështu do të ndalej presioni, thotë Dejan Bursaq. Tani është gjendja gjendja ndryshe. Studentët mund të bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve, që mund t'i bashkangjiten shumë dhe opozita. E gjithë kjo farsë e shkeljes së afatit kushtetues prej 30 ditësh, për njoftimin e dorëheqjes së kryeministrit, i shërben Aleksandar Vuçiqit për të vlerësuar situatën dhe për të vendosur nëse do të formojë një qeveri të re apo do të shkojë në zgjedhje”, thekson Bursaq për DW.
Ognjen Radonjiq vëren se "është e vërtetë që qeveria po përpiqet të vazhdojë me një lloj jete paralele, ndërsa protestat studentore megjithatë kanë mobilizuar ndjeshëm njerëzit". Por Radonjiq mendon se përhapja e protestave ka ndalur diku, sepse vetëm arsimi dhe avokatët janë në një lloj proteste. Kjo nuk mjafton. "Arma kryesore është delegjitimimi i kësaj qeverie dhe greva e përgjithshme, por sigurisht nuk duhet harruar qëndrimi i Evropës ndaj kësaj qeverie, i cili fatkeqësisht është shumë i favorshëm”, thotë Radonjiq.
Varet se cili është qëllimi që të gjitha këto protesta të kenë efekt, shton Dejan Bursaq. Studentët kanë katër kërkesat e tyre dhe nuk kanë pasur asnjë kërkesë politike në kuptimin e ngushtë. Çështje të tjera, si kryetari i ri i Novi Sadit, zgjedhja e një kryeministri, apo rënia e mundshme e regjimit, janë çështje për forcat e tjera shoqërore. Studentët e kërcënuan ndjeshëm këtë regjim me veprimet e tyre dhe çuan në rënien e qeverisë pas 17 vitesh.
"Por tani po flasim për ndonjë artikulim politik të protestave, e këtë përgjegjësi e kanë partitë opozitare, ekzistuese apo të reja që duhet të dalin nga vala e kësaj pakënaqësie”, vlerëson Bursaq.
Problemi është se opozita nuk e ka gjetur vendin e saj në këtë duel mes qeverisë dhe studentëve, thotë Dejan Bursaq, "sepse pas protestave të studentëve, opinioni ka pritshmëri të mëdha, të cilat një pjesë e madhe e opozitës nuk mund t'i përmbushë. "Ka mënyra të ndryshme se si mund të përfshihet opozita, sepse protestat e studentëve nuk do të thonë se opozita është e përjashtuar nga aksioni politik dhe se ajo nuk mund të bëjë presion ndaj qeverisë dhe të punojë për rrëzimin e saj”, përfundon Bursaq për DW.