Gazetari dhe ish-futbollisti Bekë Abazi ka bërë promovimin e monografisë “60 vjet futboll në Komunën Skenderajt” (1958-2018).
Ky libër përshkruan në formë kronologjike dokumente, fotografi dhe historikun 60- vjeçar të futbollit në komunën e Skenderajt, njofton Klan Kosova.
Pjesa e parë e këtij libri përshkruan hyrjen për futbollin në Kosovë në rajonin e Mitrovicës dhe zhvillimin e këtij sporti në Skenderaj .
Në këtë monografi ka të dhëna për shumë persona që kanë qenë pjese e epokës së futbollit në Drenicë, duke ia kushtuar një pjesë të mirë të librit klubeve të futbollit si “Buduçnosti”, “Skenderaj” dhe “Drenica”, të cilat identifikohen me futbollin në komunën e Skenderajt.
Bashkë me gjitha këto të dhëna janë publikuar edhe organizatorët e futbollit, donatorët, futbollistët, fotografi të rralla dhe dokumente për futbollin 60 vjeçar.
Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka thënë se është emocion i veçantë për këtë promovim, i cili tha se do ta mbështesë sportin në këtë komunë.
“Profesor Abazi ka sjellë historikun e futbollit në Drenicë. Përveç shpirtit luftarak për të mos u nënshtruar, drenicasit kanë edhe shpirt sportist. Emocioni është akoma më i madh kur kujtoj kohën që edhe vetë isha president i këtij klubi për dy vjet. Unë do të vazhdoj t’i jap mbështetje sportit, duke krijuar kushte meritore për aktivitetin e tyre, si dhe do të ndërtojmë stadiumin me standarde e UEFA-s . Biblioteka e qytetit do të jetë më e pasur tash e tutje”.
Derisa autori Bekë Abazi ka thënë se ka botuar këtë monografi me qëllimin për të ruajtur historinë 60 vjeçare të futbollit.
“Këtu kanë kontribuar të gjithë me fotografi, dokumente dhe ngjarje të veçanta. Kjo monografi është vetëm një fillim për të përmbledhur një histori 60 vjeçare, duke i ftuar të gjithë ata që kanë dokumente histori, fotografi, në mënyrë që një tjetër monografi të jetë më e kompletuar”.

●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.