Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, të premten në Mitrovicë ka përuruar librin e tij ‘Betejat e humbura të Tiranës’.
Mitrovica është qyteti i parë në Kosovë ku ai promovoi veprën e tij.
Libri flet për historinë mbi 100 vjeçare të kryeqytetit të Shqipërisë, dhe trajton aspektin e ndryshimeve politike dhe atyre kulturore.
Libri ditëve të ardhshme do të dalë në shitje në Kosovë, njofton Klankosova.tv.
Në promovim ishin të pranishëm edhe rektorë nga universitetet tjera publike, profesorë, studentë si dhe dashamirës të librit.
Rektori i këtij universiteti Alush Musaj, falënderoi autorin e librit që ka zgjedhur këtë mjedis akademik për promovimin e librit të tij.
“Vetë prania juaj sot këtu është ngjarje për universitetin tonë, ndërsa promovimi i librit tuaj është një mundësi më shumë për ne të gjithë dhe veçanërisht për studentët që të komunikojnë me ju dhe me Tiranën nëpërmjet librit tuaj”, u shpreh ai.
Për librin foli edhe Ahmet Jashari, drejtor për Informim dhe Komunikim me Publikun në Universitetin e Mitrovicës, i cili tha se “Betejat e humbura të Tiranës”, është një monografi e llojit të veçantë për Tiranën.
“Është libër për Tiranën nga një tiranas, që e përjeton Tiranën për çdo ditë. Si rrjedhojë ai e sheh më ndryshe këtë qytet, i cili ka kaluar 100 vjet si kryeqytet i Shqipërisë”, tha ai.
Me një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtua edhe autori i librit, Bamir Topi, i cili fillimisht shprehu mirënjohjen për organizimin e promovimit në Universitetin “Isa Boletini”.
“Është kënaqësi kur shoh ndryshimin e madh që ka ndodhur prej herës së fundit që kam qenë në këtë mjedis akademik. Shoh një kampus modern dhe jam shumë i lumtur”, tha ai.
Topi foli për motivet që e kanë shtyrë të shkruaj librin, duke vënë theksin te momente të ndryshme politike në radhë të parë, që kanë prodhuar një qasje aspak korrekte ndaj vlerave të mirëfillta tiranase.
