Janë promovuar në “Panairin e Librit”, pesë vëllime për Arbën Xhaferin të redaktuara nga Shkëlzen Maliqi, njofton Klan Kosova.
Këto vepra janë materializuar nga Qendra Kulturore Klan Kosova së bashku me shtëpinë botuese "Dudaj" në Tiranë, mbështetur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Me këtë rast redaktori i veprave Shkëlzen Maliqi tha se këto libra janë shumë të rëndësishme për lexuesit pasi në to përfshihet e gjithë kujtesa e historikut të Arben Xhaferit.
"Ky është një prej projekteve të rëndesishme, sepse është ndjerë nevoja që Arbën Xhaferin ta kemi të permbledhur, dhe kjo, jo vetëm për politikën në Maqedoni por gjithandej ku kanë jetuar shqiptarët".
"Arbëni është një nga autorët me stilistik që gjithmonë dallohej nga brezi i tij dhe kjo përmbledhje, ngërthen gjitha shkrimet e tij gjithandej".
Nga ana tjetër, Drejtori i Klan Kosova, Baton Haxhiu ka thënë se kjo është më e pakta që është bërë për Arbënin.
“Gjashtë vite më herët, një histori e vjetër në yrtet e partisë demokratike, Arben Xhaferi na tha se këtu diku është arkiva e të gjithë intervistave, mesazheve dhe të gjitha letrave deri kur ka ndërruar jetë. Gjithë ajo arkiv është sistemuar nga Shkelzen Maliqi për muaj të tërë. Këto 5 libra janë histori e kujtesës së Arben Xhaferit, kjo është më e pakta që kemi bërë për të”.
“Këto janë pesë libra të botuara nën patronatin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Klan Kosova si dhe shtëpinë botuese “Dudaj” nga Tirana", tha tutje Haxhiu.
Ndërkaq, filozofi Astrit Salihu, i cili ishte një mik i afërt i Xhaferit, e cilësoi atë si një mendje ndritur.
“Arbëni shqiptarët i shihte vetëm në Evropë dhe vetëm në perëndim. Ai potenconte në shkrime faktin se neoshqiptarizma është evropiane. Ne kemi sot, shqiptarë që vdesin në Siri, kemi edhe rryma majtiste ekstreme, që janë të ndikuara nga Lindja. Dhe Arbën Xhaferi, ishte kundër të gjitha këtyre. Dhe këto mund t’i lexoni ne përmbledhjen e Arbën Xhaferit, ku edhe mund të shihni një pjesë të së ardhmes shqiptare”, tha Salihu.
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.