Lajmet e fundit

Është ngritur aktakuzë ndaj Q.J, për vrasjen e G.H i njohur si “Strella”.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 maj të këtij viti, në rrugë “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
Njoftimi u dha nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.
“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, me të cilën ka kryer veprën penale”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, tani i akuzuari ka kryer edhe veprën e “armëmbajtjes pa leje”.
“I pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H” e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.