Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një vizite që i ka bërë Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, ka prezantuar pikat e programit të tij në fushën e trashëgimisë kulturore, ndërsa të cilat është edhe ndërtimi i Muzeut Arkeologjik.
“Ne planifikojmë të ndërtojmë Muzeun Arkeologjik, i cili do të shërbejë për prezantimin e artefakteve dhe eksponateve të zbuluara në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, si shërbim për ruajtjen, mbrojtjen, restaurimin, konservimin, hulumtimin dhe studimin e artefakteve të shumta të zbuluara këtu dhe në gjithë Kosovën”.

Ai ka shtuar se prioritet do të mbetet investimi në trashëgiminë kulturore dhe sistemin e mbrojtjes së trashëgimisë në përgjithësi, njofton Klan Kosova.
“Ne do të bëjmë avancimin e vazhdueshëm të legjislacionit për trashëgimi kulturore. Përveç ligjbërjes do të marrim edhe masat që garantojnë harmonizimin me ligjet e tjera të Kosovës dhe me legjislacionin e BE-së”.
Hoti tutje ka thënë se Programi i tij qeverisës parasheh inventarizimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore, menaxhimin dhe monitorimin e gjendjes së trashëgimisë.

Sipas tij, do të përkrahen financiarisht projektet e tri institucioneve qendrore, si Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Muzeu i Kosovës, Institutin Arkeologjik si dhe gjashtë qendrave rajonale të trashëgimisë, njofton Klan Kosova.
Hoti është zotuar për vazhdimin e investimeve në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” dhe objekteve të tjerave me rëndësi të jashtëzakonshëm për vendin tonë si Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Novobërdës etj.
klankosova.tv