Njëri nga producentët e filmit "Zgjoi" (Hive), Valon Bajgora, ka thënë se rrëmbimi i tre çmimeve kryesore në festivalin "Sundance" në Amerikë, është lajm i madh, njofton Klan Kosova.
"24 orëshi i fundi ka qenë si në Luna Park, nuk e dinim a jemi zgjuar apo duke fjetur. Ende nuk po mund të besojmë. Kur ka filluar filmi, ka qenë ëndërr e jona me qenë në "Sundance". Ishte lajm i madh për ne që u pranuam në kompeticionin zyrtar. Dje e kemi pasur premierën, pasi ka përfunduar kemi pasur pyetje me publikun dhe më pas mori në telefon drejtoresha e Festivalit e cila e kërkoi numrin e Blerta Bashollit. Blerta fliste në telefon, e shihnim duke qarë, kur është kthyer tha "e fituam çmimin e regjisë më të mirë".
"Sundance është festivali kryesor në Amerikë dhe historikisht nuk ka ndodhë asnjëherë me i fitu këto çmime".
Ndër të tjerash, Bajgora tregoi se çfarë trajton ky film nën regjinë e Blerta Bashollit.
"Zgjoi" trajton temën e Fahrijes, është ngjarje e vërtetë, person i vërtetë, person shumë inspirues për Blertën dhe për neve. Pas një fatkeqësie që i ka ndodh, ajo ka marrë guximin dhe vullnetin për të nisur diçka komplet nga zero dhe për t'i angazhuar gratë e Krushës së Madhe që kanë mbetë. E ka kriju një biznes dhe ka arritur të mbijetoi me atë treg por edhe me e plasu në treg ndërkombëtar. Fahrija brenda filmit është Yllka Gashi. Me Yllkën kemi kaluar shumë mirë, ajo ka qenë pjesë e filmit prej që është shkruar filmi. Komplet procesi ka zgjatur rreth pesë vjet. Ka qenë kohë me batica dhe zbatica, ka pasur dëshpërime në kohën e financimit. Ka qenë e vështirë për të arritur buxhetin e realizimit të këtij filmi. Janë rreth 25 aktorë, kemi pasur kast të mrekullueshëm", tha ai.
Ndiqni intervistën e tij të plotë më poshtë;
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.