Qarkullimi i parasë së falsifikuar ka qenë një problematikë në rritje viteve të fundit.
Në Kosovë, përveç që kontrabandohen nga jashtë, monedha e kartëmonedha të rreme edhe prodhohen.
Këtë e ka thënë për emisionin MAT në Klan Kosova, eksperti i forenzikës, Milazim Tahirukaj.
“Laboratorë klandestinë që prodhohen monedha të falsifikuara nuk është që nuk ka pasë. Kanë qenë disa raste që janë gjetur gjatë procesit edhe janë konfiskuar. Me përvojën time 20-vjeçare në forenzikë dhe si ekspert kemi pasë raste ku janë identifikuar edhe laboratorë për prodhimin apo për qitjen në treg të monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara”, është shprehur Tahirukaj.
Përveç që bëhet shtypja e tyre e jashtëligjshme, ai tregon edhe prejardhjen e pjesës tjetër të parave false.
“Edhe prej Shqipërie, Serbie, po ashtu vijnë edhe prej Maqedonie dhe vendeve të ndryshme, ka disa raste që vijnë edhe nga Bullgaria, vijnë nga Italia, po vijnë edhe nga shtete evropiane si Spanja. Kohëve të fundit është gjetur një laboratorë klandestin në Spanjë që kanë qenë me qindra-mijëra monedha të falsifikuara. Aty bëhet shpërndarja dhe gradualisht shpërndahen si në Kosovë, por edhe Evropë”, shton ai.
Por çfarë e bën Kosovën cak për falsifikatorët, e thotë ish-zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fatmir Gashi.
“Janë dy elemente kryesore: një, mendimi i atyre që i bëjnë këto marifete, është që Kosova nuk ka kapacitete institucionale për ta identifikuar falsin dhe tjetra, për arsye se qytetarët e Kosovës lehtë mund të gjejnë njerëz që do të merren me këtë punë kriminale për shkak të lakmisë së parave”.
●●●
L
SHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.