ProCredit Superliga e Kosovës në basketboll rikthehet këtë javë me një kalendar të pasur ndeshjesh dhe duele shumë interesante, që pritet të ofrojnë spektakël për adhuruesit e basketbollit. Vëmendja kryesore është te derbi i madh mes rivalëve tradicionalë, GO+ Peja dhe Trepça.
Një përballje që gjithmonë prodhon emocione dhe rivalitet të fortë. Verdhezinjtë aktualisht numërojnë dhjetë fitore dhe 11 humbje, ndërsa mitrovicasit kryesojnë renditjen me 18 fitore dhe vetëm tri humbje. Një tjetër ndeshje me peshë është ajo mes Rahoveci 029 dhe Bora.
“Vreshtarët” gjenden në pozitën e tetë me shtatë fitore dhe 14 humbje, kurse prishtinasit mbajnë vendin e tretë me bilanc prej 11 fitoresh dhe 10 humbjesh, transmeton Klankosova.tv.
Të enjten në parket do të zbresin Bashkimi dhe Vëllaznimi, dy skuadra që synojnë pikë të plota për objektivat e tyre sezonale. Prizrenasit kanë 11 fitore dhe shtatë humbje, ndërsa kuqezinjtë tetë fitore e 13 humbje.
Po ashtu, sfidë e balancuar dhe e paparashikueshme pritet të jetë ajo mes Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli, dy skuadra që këtë edicion nuk po kalojnë formën më të mirë, me nga tetë fitore dhe 13 humbje secila. Të gjitha ndeshjet e javës do të transmetohen drejtpërdrejt në Artmotion.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.