Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest 2025, fillon sot dhe zgjat deri më 28 korrik në Prizren.
Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje dhe performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
PrizrenFest 2025 nis sonte nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun.
Në këtë edicion, shfaqen tema që lidhen me luftën, shërimin, kujtesën, identitetin, rezistencën, heshtjen, shëndetin mendor, ambientin dhe dhunën shtetërore.
Edicioni i katërt i këtij festivali nderon trashëgiminë kulturore e historike të qytetit të Prizrenit, duke e shndërruar atë në një skenë teatri dhe duke e sjellë teatrin e botës në të.
Programi i sivjetëm i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ e diskursiv.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të sivjetshëm të PrizrenFest është falas./Klankosova.tv

●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.