Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka kritikuar bllokadën detare amerikane të porteve iraniane.
Ai ka thënë për CNN se një bllokadë nuk është kurrë zgjidhja. "Ne besojmë se bllokadat nuk zgjidhin bllokadat e tjera", ka deklaruar ai.
Costa ka përmendur konferencën e kësaj jave të udhëhequr nga Franca dhe Britania e një koalicioni vendesh të gatshme të ndërmarrin veprime mbrojtëse në Ngushticën e Hormuzit si rrugën më të qëndrueshme përpara.
"Ne po veprojmë në rrugën e duhur dhe mënyra e duhur është ta adresojmë këtë çështje në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar", ka shtuar ai.
Kur është pyetur për faktin se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të autorizuar një koalicion të tillë është bllokuar nga Kina dhe Rusia javën e kaluar, Costa ka këmbëngulur se ende nuk është "e pamundur" të bëhet përparim.
"Në botën ideale do ta kishim këtë mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por nuk është e pamundur të veprohet në një kornizë të ndryshme, jo si pjesë e kësaj lufte, por si pjesë e një zgjidhjeje paqeje", ka deklaruar Costa.
Ai ka thënë se pret përparim në bisedimet e drejtpërdrejta midis Libanit dhe Izraelit në Uashington. /Klankosova.tv
●●●
NSHKRIMI NGA
NaimS
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.