Lajmet e fundit

Konspiracionisti Arianit Sllamniku, është intervistuar nga Policia e Kosovës pas raportimit të Kiks Kosova. Intervistimi lidhet me pretendimet e tij se shëron autizmin te fëmijët, ndonëse nuk është mjek.
I njëjti dyshohet se u ka dhënë fëmijëve barna që janë të destinuara për kafshë, transmeton Klankosova.tv.
Gazetarja, Florentina Hoti, në Klan Kosova tha se ka dy muaj që është duke hulumtuar këtë rast, për të ndërlidhur të gjitha pikat.
Ajo ka bërë të ditur se Sllamniku ka marr nga 1500-4000 euro për premtime ‘të rrjeshme’, që fëmijët me autizëm do t’i shërojë.
Psikiatri, Sami Rexhepi nga ana tjetër thotë se autizmi është çrregullim, dhe jo sëmundje.
“Jo të gjithë fëmijët manifestojnë të njëjtat simptoma të autizmit”, theksoi doktori në “Kosova Today”.
Veterinari, Dardan Pozhegu thotë se barnat që ka përdorur Sllamniku janë shumë të lira, dhe përfitimi i tij në ‘prognozën’ ndaj fëmijëve, sipas tij, mund të ketë qenë 200%.
Ndërkaq, ai shton se çdo medikament që është për kafshë, nuk mund të përdoren për njerëz.