Lajmet e fundit

“Dasma” e Angjelin Prelocajt emocionon në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit
“Dasma” baleti nën koreografinë Angjelin Prelocajt dhe muzikë të Igor Stravinskyt është ngjitur dje në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit duke emocionuar publikun.
Një nga veprat më të dashura për koreografin, “Dasma” përmbante elementët e traditës të shkrirë në vallëzimin kontemporan. Në vënien në skenë të kësaj vepre ishte i pranishëm dhe artisti Prelocaj, i cili më herët e quajti këtë vepër si pjesë të historisë së tij.
“Dasma” u realizua nga eksperienca ime nga ajo që unë kisha parë në dasmat që organizoheshin në familjen time, sidomos në Mal të Zi, ku kam dhe anëtarë të familjes sime.
Kjo është një vepër tërësisht shqiptare, por shqiptarizmi im mund të ndihet jo vetëm aty, por dhe në vepra të tjera të miat.
Rituali që shprehet në balet është tërësisht shqiptar dhe ka lidhje me mënyrën sesi organizoheshin dasmat shqiptare, ku nusja nuk njihte bashkëshortin e saj, apo krushqit vinin të armatosur për të marrë nusen”, tha Prelocaj.
Koreografi ka shpjeguar gjithë elementët që e bëjnë këtë vepër tërësisht shqiptare që nga momentet e gëzimit e deri te lotët e nuses kur i duhet të largohet nga shtëpia. Prelocaj tregoi se dasma e motrës së tij ishte një moment që e ka frymëzuar për këtë vepër.
“Unë jam thellësisht i lidhur me vendin e origjinës çdo pjesë e imja e vënë në skenë në mënyrë direkte ose jo, reflekton brendinë time dhe origjinën time”, tha Prelocaj. Për drejtorin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, ky institucion do të vijojë bashkëpunimin me këtë artist.
“Kontributi që sjell Angjelin Prelocaj është shumë i madh për teatrin tonë. Për Teatrin e Operës dhe Baletit, ky është një bashkëpunim me një artist të madh”, tha Kerni. Baleti “Dasma” do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe sot në mbrëmje deri në 9 nëntor, shkruan gazetaa-shqip.com