Lajmet e fundit

Amfiteatri i Durrësit së shpejti do të ketë të lirë arenën e tij, më në fund të çliruar nga disa ndërtesa të banuara, të vendosura në pjesën juglindore të saj.
Pas procesit të shpronësimit, menjëherë filloi puna për rehabilitimin e hapësirës së arenës. Projekti i rehabilitimit , i tenderuar nga DRKK Durrës, po realizohet nga një subjekt i licencuar për restaurimin e monumenteve të kulturës.
Një nga kushtet e kërkuara nga DRKK Durrës për firmën restauruese ishte që të kishte në stafin e vet edhe dy arkeologë, të cilët duhej të drejtonin punimet e prishjes së ndërtesave në mënyrë manuale. Kjo kërkesë i detyrohej faktit që në përbërjen e ndërtesave të mund të seleksionoheshin materiale me vlera arkeologjike të amfiteatrit, të cilat mund të jenë ripërdorur për ndërtim.
Mbikëqyrja e këtij procesi po bëhet nga DRKK Durrës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Fotot e mëposhtme janë marrë sot nga procesi i punës në arenën e amfiteatrit.
Bie në sy një portë me vlera të rralla arkeologjike, e cila me sa duket për dekada me radhë, ka qenë e “fshehur” në njërën prej banesave të ndërtuara brenda në amfiteatër.