“Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër histori, gjeografi, përtej mureve”, është tema e këtij viti e festivalit të letërsisë polip, i cili do të mbahet nga 15-17 maj 2025 në Prishtinë.
Organizuar nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Molla e Kuqe, edicioni i sivjetëm eksploron se si rezistencat të rrënjosura në histori të afërta e të largëta mund të kujtohen, riimagjinohen dhe ritregohen nëpërmjet artit.
Ky edicion i festivalit është ftesë për të përqafuar fuqinë e artikulimit kreativ të rezistencave, transmeton Klankosova.tv.
Programi hapet me shfaqjen “Hija e gjatë e Alois Brunner” [The Long Shadow of Alois Brunner] të Muddar Alhaggi, me regji të Omar Elerian, e cila tregon rrëfimin e një prej kriminelëve më famëkeq nazistë që i shpëtoi drejtësisë.
Po ashtu në Kino Armata shfaqet dokumentari “Open Letters” të Katharina Dominice, që na çon në Zvicrën e vitit 1934, kur atje lëshoheshin lejeqëndrime sezonale për punëtorë emigrantë.
Shfaqja “Bëje ose vdis” është homazh për mbi 12 mijë ish të burgosur politikë nga Kosova në ish-Jugosllavi, e cila prezantohet në Muzeun Burgu i Idealit, në një përpjekje për të shkrirë hapësirën fizike dhe kujtesën në një përvojë të vetme për publikun.
Në çelitë e Burgut të Idealit prezantohet një performancë ku aktorët do të lexojnë tregime të ish të burgosurve politikë nga Kosova.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.