Lajmet e fundit

Policia e Kosovës, dje raportoi se është arrestuar një person për veprën penale “blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale”, por që më pas, raportimin për arrestim e ndryshoi vetëm në intervistim.
Sipas njoftimit të parë të policisë, i dyshuari biznesmeni Driton Shuki, ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
“Pas sekuestrimit të pajisjes (e cila arrin vlerën rreth 45.000 euro) dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast ndaj personit të dyshuar: D. Sh, mashkull 47-vjeç, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale”, thuhej në njoftimin e parë të policisë, transmeton Klankosova.tv.
Por, ky njoftim u editua disa herë nga ana e policisë, ku në versionin e fundit thuhet se i dyshuari Driton Shuki vetëm u intervistua dhe ndaj tij është iniciuar rast.
“Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, dje hetuesit e stacionit policor Qendra, kanë intervistuar një person, i cili dyshohet se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur, në Shkup të Maqedonisë së Veriut”.
“Pas sekuestrimit të pajisjes dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast ndaj personit të dyshuar: D. Sh, mashkull 47 vjeç, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale”, thuhet në njoftimin e fundit të policisë.
Në lidhje me këtë, për Klankosova.tv ka folur edhe vetë biznesmeni Driton Shuki, që është pronar i laboratorit "Avicena", i cili tha se lajmi për arrestimin e tij ka qenë keqkuptim.
“Jo, s’kam qenë i arrestuar. Policia kanë qenë për vizitë teke ne, ka rezultuar se një pajisje që e kemi blerë ne ka qenë e vjedhur. Ia kemi dhënë informatat. Dje ka qenë një keqkuptim në media ku disa media më kanë paraqitur si të arrestuar por më pas kur kanë folur me mua e kanë kuptuar se s’bëhet fjalë për diçka të tillë”, është shprehur Shuki për Klankosova.tv.