Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda e Policisë, mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një operacion policor në veri të vendit, në koordinim dhe me urdhër të gjykatës kompetente.
Lidhur me këtë operacion, organet e rendit janë zhvilluar në tri lokacione në Mitrovicë Veri dhe Zveçan, ndaj disa të dyshuarve, të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale të trafikimit me armë.
Në një lokacion në Mitrovicë Veri, është zbuluar një punëtori ku dyshohet se bëhej modifikimi i armëve, me ç’rast janë gjetur armë dhe pjesë të llojeve të ndryshme të armëve.
Policia ka bërë konfiskimin e një sasie të armëve, pjesëve të armëve, municionit dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme gjyqësore.
"Lidhur me këtë, policia ka iniciuar rastin nën dyshimin se janë konsumuar veprat penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’", thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Tre persona janë shoqëruar në polici dhe me aktvendim nga organet e drejtësisë njëri prej tyre është dërguar në mbajtje.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.