Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mesditën e sotme në Shkodër, ku zyrtarisht mësohet se kanë mbetur të vdekur dy persona ndërsa dy të tjerë janë lënduar rëndë.
Persona deri më tani të panjohur për Policinë, kanë shtënë me armë zjarri ndaj një veture në lëvizje, me ç’rast një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur.
Policia e Shkodrës njoftoi se makina ndaj të cilës u qëllua me armë zjarri humbi kontrollin dhe goditi një motoçikletë në të cilën po udhëtonin një çift bashkëshortor, Bashkim dhe Flutura Basha.
Për pasojë, gruaja ka mbetur e vdekur ndërsa bashkëshorti është lënduar rëndë.
Po ashtu, edhe personi i dytë që ishte në makinë ka mbetur i plagosur rëndë.
Si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit Hamza Liçi dhe Arlind Bushati.
Policia e Shtetit ka njoftuar se si pasojë e të shtënave, i vrarë ka mbetur Hamza Lici, dhe është plagosur rëndë shtetasi Arlind Bushati.
Ndërkaq, e vdekur ka mbetur edhe një kalimtare rasti pasi vetura në të cilën gjendeshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati e humbi kontrollin dhe goditi motoçikletën me të cilën po udhëtonte tashmë e ndjera Flutura Basha, bashkë me bashkëshortin e saj Bashkim Bashën, i cili raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B”, ka njoftuar zyrtarisht Policia e Shkodrës, raporton Klankosova.tv.
Në vendngjarje thuhet se kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Ndërkaq, thuhet se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.