Policia e Shqipërisë dhe Policia e Kosovës kanë ranë dakord të organizojnë shërbime të përbashkëta të policimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës qershor-shtator 2024, njofton Klankosova.tv
Përmes një njoftimi për shtyp është bërë e ditur se shërbimet e përbashkëta të patrullimit do të mbështeten në Memorandumin e Bashkëpunimit, të firmosur në Tiranë nga drejtuesit e dy policive.
“Memorandumi i Bashkëpunimit thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor, për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Ai vjen si rrjedhojë e faktit se, gjatë periudhës qershor–shtator 2024, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, të cilët vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe një numër mjetesh rrugore të Kosovës që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet”, shkruhet në njoftimin për shtyp.
Në bazë të Memorandumit do të intensifikohen marrëdhëniet dhe do të forcohet bashkëpunimi midis policive, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të planeve dhe masave të përbashkëta.
Gjatë firmosjes së Memorandumit të Bashkëpunimit, drejtuesit e të dy policive nënvizuan se, eksperiencat e viteve të shkuara në zbatimin e shërbimeve të përbashkëta të patrullimit rrugor kanë qenë pozitive dhe do të shërbejnë si bazë për bashkëveprimin gjatë muajve të ardhshëm.
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.