Antidroga e Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një aksion në Mitrovicën e Jugut.
Në operacionin e koduar "Befasia", është arrestuar një i dyshuar.
Policia njofton se në bazë të urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, i dyshuari ka një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
I njëjti u intervistua në praninë e avokatit mbrojtës, transmeton Klankosova.tv
"Lidhur me këtë rast, është informuar Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në vuajtje të dënimit. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug. Pas intervistimit, i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku është dërguar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë", thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë këtij aksioni është gjetur dhe sekuestruar:
24 qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokaine, me peshë totale 7.5 gram;
6 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 68.7 gram;
4 tableta Ekstazi, me peshë totale 2.2 gram;
Qese të zbrazëta, që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike në sasi të vogla.
Një telefon mobil që dyshohet të jetë përdorur për aktivitetet e paligjshme.
"Ky aksion është një tjetër hap në luftën e vazhdueshme kundër krimeve të organizuara dhe trafikut të narkotikëve, dhe dëshmon angazhimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar të vazhdoj punën për të zbuluar dhe parandaluar çdo aktivitet kriminal që kërcënon sigurinë dhe rendin publikë, në veçanti aktivitetet e tilla kriminale që rrezikojnë shëndetin e rinisë sonë".
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.