Girona FC arriti një fitore të rëndësishme ndaj FC Barcelona, në një ndeshje ku katalanasit nuk arritën të impononin dominimin e tyre dhe u ndëshkuan në momentet vendimtare.
Skuadra e drejtuar nga Míchel Sánchez u tregua e rrezikshme në kundërsulm dhe besoi deri në fund. Barcelona kaloi në avantazh me Pau Cubarsí, ndërsa Lemar barazoi shifrat, duke e lënë gjithçka të hapur në pjesën e dytë.
Momenti më i diskutueshëm erdhi kur rezultati ishte 1:1 dhe vendasit po shtonin presionin. Në një duel me Echeverri-n, Jules Koundé mbeti i shtrirë në tokë pas një goditjeje në këmbën e djathtë. Gjyqtari César Soto Grado nuk akordoi faull dhe lejoi vazhdimin e lojës.
Topi përfundoi te Fran Beltrán në hyrje të zonës, i cili, me Koundé ende në tokë, lëshoi një goditje të ulët dhe të saktë për t’i dhënë avantazhin dhe më pas fitoren Gironës.
Lojtarët dhe stafi i Barcelonës shpërthyen në protesta, duke kërkuar ndërhyrjen e VAR-it dhe rishikimin e aksionit. Megjithatë, arbitri nga La Rioja qëndroi në vendimin e tij dhe sistemi VAR nuk e thirri për rishikim. Soto Grado bëri gjeste qetësuese, duke lënë të kuptohej se kontakti nuk ishte i mjaftueshëm për faull.
Vendimi shkaktoi zhgënjim dhe zemërim te “blaugranët”, të cilët e panë veten të mposhtur në një sfidë të mbushur me polemika.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.