Lajmet e fundit

Shqipëria është kthyer në magnet për turistët. Ministria e Turizmit deklaroi se vendi ynë ka tërhequr deri në fund të korrikut më shumë se 5.1 milionë vizitorë.
Këtë vit, miliona turistë e kanë vizituar Shqipërinë, duke e bërë vendin si një nga destinacionet më të preferuara të Evropës për turizëm.
Por, kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve të Shqipërisë, Enri Jahaj, ka zbuluar se kush janë turistët që shpenzojnë më shumë, pijnë më shumë, apo ata më kopracët.
“Turistët më dorëlëshuar janë pjesa e Europës Veriore, anglezët, nordikët, suedezët, norvegjezet e finlandezët, që kanë një standard jetese shumë të lartë. Kur shohin çmimet tona, atyre iu duket shumë lirë”.
“Po t’i referohemi pjesës tjetër pastaj polakët, italianët, sidomos ata të jugut klasifikohen në turistët koprracë. Ata duan të diskutojnë, të bëjnë pazar dhe ulje për çdo lloj çmimi”, tha ai, shkruan TopChannel, transmeton Klankosova.tv.
Kurse, për sa i përket pijeve alkoolike, Jahaj tha se janë anglezët ata që prijnë, pastaj australianët, gjermanët e nordikët.
“Ndërsa pjesa tjetër kanë konsum normal apo minimal. Në ato hotele dhe resorte që kanë paketa all inclusive, pasi shumica e bregdetit tonë ranor po i aplikon këto paketa, shquhen polakët që konsumojnë më shumë alkool kryesisht raki dhe birra vendi“, tha ai.