Lajmet e fundit

Manchester United është duke kaluar një periudhë të mirë që prej emërimit të norvegjezit Ole Gunar Solskjaer në detyrën e trajnerit.
Mirëpo, së fundi “Djajtë e Kuq” kanë marrë një lajm që me siguri nuk është pritur mirë.
Ylli i skuadrës, Paul Pogba, ka thënë se një transferim te Real Madrid do të ishte një “ëndërr”.
Zërat për një largim të mundshëm të francezit nga “Old Trafford” kanë qenë të shumtë gjatë fazës së parë të këtij sezoni, edhe për shkak të marrëdhënies së keqe që ekzistonte mes lojtarit dhe trajnerit Jose Mourinho.
Gjithsesi, situata ka ndryshuar pas shkarkimit të portugezit në dhjetorin e vitit të kaluar.
Pavarësisht nga kjo, e ardhmja e futbollistit mund të jetë larg Manchester Unitedit, me vetë Pogba që ka deklaruar adhurimin e tij për Real Madridin në një konferencë për shtyp të zhvilluar këtë të mërkurë me kombëtaren e Francës.
“Siç kam thënë gjithmonë, Real Madrid është një ëndërr për çdo lojtar. Është një nga klubet më të mëdha në botë”, ka thënë mesfushori.
“Më pas është edhe Zidane në rolin e trajnerit, një ëndërr e vërtetë për këdo që pëlqen futbollin.
"Për momentin jam te Manchester, por nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Unë jam tek United dhe jam i lumtur”, ka theksuar Pogba.