21 Marsi është Dita Botërore e Poezisë, e cila si datë u caktua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në vitin 1999 gjatë Konferencës së Përgjithshme të 30-të të saj në Paris.
UNESCO e shpalli këtë ditë si “njohje dhe shtysë të re lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare”, me shpresë që të frymëzojë kremtimin e poezisë në të gjithë botën, të ruajë gjuhët e rrezikuara dhe të stimulonjë shprehjen poetike. Kjo ditë celebron format më të çmuara të njerëzimit të shprehjeve kulturore dhe linguistike.
Poezia është përdorur përgjatë historisë dhe përfshin forma të llojllojshme të gjuhës dhe shprehjeve, me të cilat vlera identifikohen të gjitha kulturat e njerëzve.
Poezia më e hershmë besohet që ka dalur me “Poemën e Gilgameshit”, nga periudha e Mesotopamisë së Lashtë diku rreth vitit 2000 para Krishtit.
Poetja Vlora Ademi në Ditën e Poezisë thotë se kjo formë letrare në Kosovë është krejtësisht e pavlerësuar.
“Poezia që i ka mbijetuar kohës 5000 vjet si formë e kulturës, është kategoria më e pambështetur dhe ma e pavlerësuar nga institucionet publike”, thotë Ademi për Klankosova.tv.
Mirëpo, se a ka lexues të poezisë në Kosovë, Ademi thotë se kërkrimet e fundit tregojnë që truni ynë “në thelb është i lidhur me aftësi për të njohur harmoninë poetike pa ndonjë përvojë apo trajnim formal. Prandaj – ajo thotë – poezia është rrjedhë, që gjithherë e gjen lexuesin e vet".
Fatkeqësisht, ajo thotë se poetët në Kosovë nuk përkrahen aspak.
“Nga institucionet, pak e hiç! Por edhe atëherë kur kjo ndodhë, ndodhë një 'përkrahje' që ma tepër reflekton si zhvlerësim, sesa përkrahje në plotkuptimin e fjalës”, shprehet ajo, e cila shton se “deri tash, shoqëria është ajo që po mban përkrahsh poezinë”.
Poetja Ademi në muajin shkurt publikoi botimin e dytë të librit “Katërdhetë e pak”, për të cilin thotë se në kopërtinën e tij është vet ajo në “katërdhetë e pak”, dhe gjithçka nga jeta saj si “nana, nipat, lufta, pasqyrat, dashnia, Luzi…”.
Ajo thotë se këtë libër, mentori i saj, Primo Shllaku e ka përshkruar në parathënien e librit “Katërdhetë e pak" asht apostrof që prek qiellin me thonj.
Për Vlora Ademin, poezia i vie natyrshëm.
“Pra, është një lidhje e pavetëdijshme. Mjafton që mos ta ndalojë veten. Mos me e lanë t'pafiksuem, e t'pashkruem çastin. Përtej kësaj poezia shtjellon, gjykon, zbulon, tjetërson”, thotë Ademi.
Për Ditën Botërore të Poezisë, Ademi ka veçuar poezinë “Tpaanët” për lexuesit e Klankosova.tv, të cilën mund ta lexoni më poshtë:
[caption id="attachment_2022488" align="alignnone" width="300"]
Vlora Ademi, poete[/caption]
T’PAANËT
Askush nuk i përket askujt, Luz!
As ti ditëve t’mia,
as unë netëve t’tua.
As na të dy këtij shekulli
T’palumtun jena, Luz!
T’pashkoqun prej vetes
t’pashkulun prej kohës
Shtrigat na kanë ba sehir,
larg na i kanë hjedhë zaret
T’pakohë jena, Luz!
Na nuk ngjajmë me të tjerët!
Nuk na del e pakta, s’na përthekon e shumta
As jepemi, as merremi!
T’pamjaftuem, Luz. T’pamjaftuem jemi!
T’mbrujtun prej drite
t’dëbuem prej fatit
Këtuhja nuk na do t’lumtun!
Na as nisemi, as kthehemi!
Jemi t’vonuem, Luz!
Udhëve po e bajmë, udhëve po e lamë dashninë.
T’ndrojtun prej saj, t’tëhuejtun prej vetes.
T’patokë jemi, Luz!
N’zgrip i kemi t’nesërmet
n’teh greminash trupat.
T’mallkuem jemi, Luz!
Na nuk i përkasim askujt!
As ti netëve t’mia,
as unë ditëve t’tua!
T’paanë jemi, Luz!