Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për ta shtyrë seancën për miratimin e buxhetit të vitit 2026.
Përmes një reagimi, Rama tha se Qeveria e re e Kosovës po e bllokon qëllimisht buxhetin, vendim ky që sipas tij po bëhet për ta dobësuar Prishtinën.
“Sot po flas jo vetëm si Kryetar i Prishtinës, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që po penalizohen padrejtësisht. Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional”, shkroi Rama.
Ai paralajmëroi se nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje do të ndjekin çdo rrugë ligjore dhe këtë do ta bëjnë publikisht.
“Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve. Prishtina nuk është pronë e asnjë partie. Prishtina është Kryeqyteti i Republikës. Nëse Qeveria mendon se mund ta përdorë si mjet presioni politik, atëherë po gabon rëndë”, shkroi ndër tjerash Rama. /Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.