Vendi u trondit dje, pasi katër persona u therën me thikë në Ferizaj, pasdite.
Në mesin e viktimave, janë dy të mitura – njëra nga to 10-vjeçare, një 29-vjeçar dhe një 32-vjeçar.
Motivet që dërguan deri te incidenti nuk dihen, ndërsa si i dyshuar fillimisht u arrestua një 59-vjeçar që më vonë doli se ishte prangosur gabimisht. Më pas, u arrestua një person tjetër.
Nga therja me thikë 10-vjeçarja, fillimisht ishte në rrezik për jetën, ndërsa më vonë nga QKUK-ja thanë se gjendja e saj është stabile.
Siç merr vesh Klan Kosova, tre nga viktimat janë të komunitetit ashkali, dhe njëri shtetas i Shqipërisë.
Të therurit u vizituan në QKUK, edhe nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili ka shprehur mirënjohje për intervenimin e shpejtë të mjekëve.
Për rastin reagoi edhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu, i cili ngjarjen e vlerësoi si tronditëse, raporton Klankosova.tv.
Ai uroi shërim të shpejtë për të lënduarit, ndërsa falënderoi policinë për reagimin e tyre, ku tha se ata treguan profesionalizëm të lartë, “duke e shmangur zgjerimin e krimit”.
Për këtë rast reaguan edhe AVONET, të cilët thanë se kjo është një ngjarje tejet alarmante për sigurinë publike dhe përbën një sinjal të qartë për pasigurinë publike me të cilën përballen qytetarët e Komunës së Ferizajt.
●●●
EISHKRIMI NGA
Ermir Istrefi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.