Lajmet e fundit

15:25 - Rama për vetëmenaxhimin e serbëve: Kurti e ka mbështetjen time të plotë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar sot një drekë pune me homologun kosovar Albin Kurti në Tiranë.
Pas takimit ai ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku tregon se e mbështet Kurtin në lidhje me çështjen e vetëmenaxhimit të komunitetit serb, përcjell Klankosova.tv.
“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka shkruar ai.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.
14:35 - Pas takimit me Kurtin, Rama njofton se mbledhja në mes të dy qeverive do të mbahet në qershor
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka drekuar sot me homologun kosovar Albin Kurti në Tiranë.
Rama tha se gjatë këtij takimi, kanë diskutuar në detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.
"I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë", ka shkruar Rama në Facebook.
Ai njoftoi se mbledhja e ardhshme e të dy qeverive do të mbahet në qershor.
14:19 - Përfundon takimi Rama-Kurti, biseduan për marrëveshjen e Ohrit
Ka përfunduar takimi në mes të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të Kosovës, Albin Kurti.
Temë e diskutimit në takimin mes dy liderëve ka qenë marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë në Ohër. Më herët, Kurti u takua me presidentin Bajram Begaj dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Në fokus të këtyre takimeve ka qenë marrëveshja me Serbinë. Ndërkohë që më herët, ABC News raportoi se Kurti pritet të takohet edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në një prononcim të shkurtër, Kurti tha se do të flasë për mediat pasi të përfundojë takimet e planifikuara.
Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
13:41 - Kurti në takim me Nikollën përmend vendosmërinë e qeverisë për avancimin e dialogut me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Kurti vuri në dukje vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe ShBA-në.
Kurti e falënderoi Nikollën për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh, si dhe vuri në dukje progresin e dukshëm në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe nënvizoi se ekonomia, demokracia dhe integrimi po ecin në mënyrë komplementare, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave.
13:30 - Nikolla pas takimit me Kurtin: E mbështesim Kosovën në rrugën euroatlantike dhe dialogun me Serbinë
Kryetarja e Kuvendit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti sot në takim kryeministrin Albin Kurti.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Nikolla e përgëzoi Kurtin për punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si dhe për durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE-në dhe ShBA-në për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare" .
Ajo tha se e mbështesin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
"E mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellët mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe ShBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, u shpreh Nikolla, raporton Abcnews, përcjell Klankosova.tv
12:21 - Begaj në takim me Kurtin, shpreh mbështetjen për marrëveshjen e Ohrit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Tiranë ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi.
Kreu i shtetit shqiptar, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kurti dhe ekipi negociator i Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.
Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, raporton Abcnews, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti shqiptar shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.
11:37 - Kurti arrin në Tiranë, pritet nga Begaj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Presidencën e Shqipërisë. Ai është pritur në hyrje nga presidenti Bajram Begaj, ku parashikohet të kalojë rreth 30 minuta me kreun e shtetit për të shkuar më pas në kryesinë e Kuvendit, ku do të takohet me Lindita Nikollën.
Takimi vijues do të jetë me kryeministrin Edi Rama. Sic raporton ABC News nuk është një takim zyre, por një drekë pune te vila qeveritare afër kryeministrisë. Pas drekës me Ramën, Kurti do të ketë një takim edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Sipas informacioneve, në fokus të diskutimeve do të jetë marrëveshja në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti ka për qëllim që të informojë politikanët shqiptarë për atë që është dakorduar në Ohër me Serbinë në takimin disaorësh që u mbajt më 18 mars./abcnews.al
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS