Ka përfunduar dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
Në fund të kësaj seance u bë e ditur se nesër fjalët përfundimtare do t’i thotë mbrojtja e Hashim Thaçit, raporton Klankosova.tv.
Seanca e nesërme nis në 09:00.
13:17 - Gazetarja Mujku: Prokuroria në Hagë u mundua të diskreditojë dëshmitarët amerikanë
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po përcjell nga afër gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, ka raportuar sot direkt nga Gjykata, ku sot po mbahet dita e dytë e deklaratat përfundimtare.
Për emisionin “Kosova Today”, Mujku bëri të ditur se gjatë seancës ku po jepen fjalët e fundit, Prokuroria ia “mveshi” Hashim Thaçit përgjegjësinë komanduese dhe të lidershipit të UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
“Prokurori i Specializuar ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka qenë neutral, ka marrë si shembull edhe një video-mesazh të tij adresuar popullit të Kosovës, ku ka treguar edhe strukturën dhe organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për gazetarin Nuhi Bytyqi, i cili ka qenë edhe dëshmitar i Prokurorisë në qershor të vitit 2024, duke thënë se kjo gjuhë, sipas Prokurorisë, që është e ashpër nga Hashim Thaçi, është në fakt e modifikuar, dhe se origjinali është shumë më i rëndë, pra duke ia veshur Thaçit përgjegjësinë e komanduesit dhe lidershipin e vet UÇK-së”, tha Mujku në Klan Kosova.
Pos tjerash, ajo tha se Prokuroria e Specializuar u mundua të diskreditojë dëshmitarët ndërkombëtarë, të thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
“Duhet të përmendet se Prokuroria e Specializuar sikurse dje përmes kryeprokurores Kimberly West, edhe sot përmes Matt Howling është munduar që t’i diskreditojë dëshmitarët amerikanë të thirrur nga Hashim Thaçi, duke nisur nga James Rubin e deri të Wesley Clark, sepse sipas Howling, UÇK-ja nuk ua ka pasqyruar situatën e vërtetë ndërkomëtarëve në kohën e luftës”, shtoi gazetarja.
13:02 - Mujku nga Haga: Kërkesa për 45 vjet burg mbështetet në mbi 5 mijë dosje e 25 mijë faqe transkripte
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po përcjell nga afër gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, ka raportuar për zhvillimet më të fundit në Hagë, ku sot është dita e dytë e fjalëve përfundimtare.
Në një lidhje direkte për emisionin “Kosova Today”, Mujku foli rreth deklarimit të sotëm të kryeprokurores Kimberly West, dhe fjalës përfundimtare që deklaroi ajo në gjykatë, transmeton Klankosova.tv.
“Kimberly West, sikurse ka bërë gjatë dirës së djeshme, ka marr fjalën edhe sot, në fund të deklaratave përfundimtare të ZPS-së, mirëpo sot nuk e ka specifikuar saktë numrin e 45 vjetët që i do krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënuar, mirëpo ka treguar se sa krenare është për punën e saj në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe ka thënë se është privilegji më i madh i jetës që shumë viktima dhe dëshmitarë i kanë besuar zyrës së saj”, tha Mujku.
“[Ajo] ka potencuar se vetëm transkripte të dëshmitarëve që filluan më 11 prill të vitit 2023, vetëm një javë pasi kishte filluar gjykimi dhe ishin dhënë fjalët hyrëse më 3 prill, deri më 15 prill të vitit 2025 kur e ka përmbyllur rastin e saj në Zyrat e Prokurorit të Specializuar, së bashku me dy dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave dhe shtatë dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, plot 104 persona janë paraqitur në Dhomat e Specializuara, qoftë fizikisht, qoftë me videolidhje, për të dhënë dëshmitë e tyre në këtë rast, dhe po ashtu nga gjithë këto dëshmi janë mbledhur plot 25 mijë e 865 faqe transkripta, e mbi 5000 dosje ne të cilat Prokuroria e mbështet këtë kërkesë të saj, për t’i dënuar me nga 45 vjet krerët e UÇK-së”, u shpreh gazetarja.
Siç thekson Mujku, Prokuroria kërkon këtë dënim të madh për faktin se bëhet fjalë për dhjetë akuza të ndryshme, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
12:22 - Mbrojtësi i viktimave: Lufta e UÇK-së do të çonte në humbje jetësh, ishte e pashmangshme
Në fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj sish-krerëve të UÇK-së, deklaratat përmbyllëse është duke i dhënë edhe mbrojtës i viktimave, Sajmon Loz.
Ai tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pashmangshëm do të çonte në humbje jetësh, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa ai, po ashtu shtroi një sërë pyetjesh, që sipas tij, duhet të iu bëhen viktimave.
“Ka njerëz që zgjohen sot me dhimbje në trupin e tyre, dhe në mungesë të njerëzve. Nuk është ekzagjerim kur thuhet se këto krime kanë lënë plagë të pashërueshme. Lufta e UÇK-së do të çonte në humbje jetësh. Shumë prej viktimave kanë mbështetur UÇK-në. Ishte e pashmangshme që do humbnin jetë njerëzisht, por a ishte e pashmangshme që kjo luftë që të çonte në mizori? A ishte e pashmangshme që një luftë çlirimtare të çonte në humbjen e lirisë për një numër kaq të madh njerëzish? Këto ngjarje a e kanë pasur burimin në trurin që donin ta merrnin pushtetin, apo thjesht spontante? “, ishin pyetjet dhe deklarimi i Loz.
12:08 - Kërkohet sërish dënimi i ish-krerëve të UÇK-së
Kryeprokurorja Kimberly West, e cila të hënën kërkoi 180 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në përfundim të deklarimeve për secilin veç e veç kërkoi sërish që të akuzuarve t’u jepet dënimi i merituar.
Ajo theksoi se askush nuk është mbi ligjin, duke shtuar se edhe njerëzit më të fuqishëm duhet të japin llogari për krimet e kryera, njofton Klankosova.tv.
“Ne kërkojmë që mbi bazën e provave të paraqitura, që të akuzuarit të japin llogari dhe t’iu jepet dënimi i duhur”, tha West.
“Ishte privilegj për mua që të takoj shumë prej këtyre njerëzve që i kanë përjetuar këto ngjarje. Ka njerëz, përfshirë të akuzuar që kanë luftuar për vendin e tyre kundër vështirësive, njerëz që kanë kontribuuar në mënyra të ndryshme, që kanë qenë në udhëheqje vendore, njerëz që kanë mbijetuar me pasojat e krimeve. Zyra ime ka punuar që këtyre t’u jepet drejtësia dhe të jepet llogari nga individët përgjegjës, këto janë pjesë e parimit më të shenjtë të drejtësisë dhe shtetit ligjor”.
“Kanë kaluar shumë vjet tashmë dhe ata të cilët kanë humbur pjesëtarë të familjes kanë menduar që nuk do të ketë drejtësi, por askush nuk është mbi ligjin, pra edhe njerëzit më të fuqishëm do të japin llogari”, shtoi kryeprokurorja në fjalë përfundimtare./Klankosova.tv
11:48 - Prokuroria e Hagës: Jakup Krasniqi s’ishte thjesht zëdhënës në UÇK
Prokurori i Hagës, Matthew Howling po vazhdon me fjalët përmbyllëse, tani për Jakup Krasniqin.
Ai pretendon se Krasniqi nuk ishte thjesht zëdhënës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“At që ka bërë, i përket më shumë sesa i një zëdhënësi. Në librin e tij, Krasniqi e pranon që i ka shkruar rregullat për UÇK-në”, tha Howling.
Siç thotë Howling, Krasniqi nuk ishte thjeshtë përçues i mesazheve, por, sipas tij, ai ishte pjesë e po atyre mesazheve.
“Ishte nevoja e nënshkrimeve të Krasniqit për të ecur para me planet e tyre”, tha tutje prokurori.
11:37 - Përmbyllet deklarimi në Hagë edhe për Selimin
Prokurori i Hagës, Matthew Howling ka vazhduar me fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.
Pas Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, ai ka përmbyllur deklarimin edhe për Rexhep Selimin.
Howling tha se në heqjen prej pozitës së komandantit, Ekrem Rexha kishte dorë edhe Rexhep Selimi.
“Selimi u caktua përgjegjës për goditjen e koordinuar më të madhe që UÇK-ja kishte bërë deri në atë pikë”.
Howling poashtu theksoi se Selimi është personi i parë që kishte folur në paraqitjen e parë të UÇK-së në vitin 1997.
11:35 - Fjala për Rexhep Selimin, prokurori: Ishte jashtëzakonisht i qartë për planifikimin e sulmit më ’97
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në ditën e dytë të deklaratave përfundimtare në gjyqin ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vazhduar me fjalët për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, lidhur me akuzat me të cilat kjo Prokurori i ngarkon.
Pas Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Prokurori Matthew Howling e ka nisur fjalën për Rexhep Selimin, transmeton Klankosova.tv
Duke folur për rolin e tij si ish-epror i UÇK-së, prokurori special e ka përmendur një sulm të vitit 1997 dhe planifikimin e Selimit, me qëllimin që sipas tij, për t’i kontribuuar “qëllimit të përbashkët kriminal”.
“Rexhep Selimi ishte jashtëzakonisht i qartë se planifikoi sulmin ndaj stacionit të Policisë, më 1997… në intervistën e tij dhënë Zërit. Ai konfirmoi pjesëmarrjen e tij në sulm. Selimi u caktua përgjegjës për goditjen më të madhe të koordinuar që UÇK kishte bërë deri në atë pikë. Selimi veproi përmes pozitave që ai mbante gjatë periudhës së mbuluar nga aktakuza, për të ndarë qëllimin e përbashkët kriminal. Kjo mund të shihet edhe përmes gjuhës që ka përdorur.” /Klankosova.tv
10:33 - Prokuroria: Thaçi dhe Veseli ishin të përfshirë në emërimin e komandantëve të UÇK-së
Prokurori i Hagës, Matthew Howling ka vazhduar me fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka theksuar se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi kanë pasur rol në emërimet në UÇK, raporton Klankosova.tv.
“Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi ishin të përfshirë në emërimet e komandantëve”, tha prokurori.
Siç tha ai, Veseli ishte pjesë e vendimit për emërimin e personave, që sipas Howling, mbikëqyrën operacionet e torturës.
10:21 - Prokurori Howling pretendon se ish-krerët e UÇK-së gënjyen ndërkombëtarët
Prokurori Matthew Howling, po jep deklaratat përfundimtare në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Në fjalën e tij, prokurori ka pretenduar se ish-krerët e UÇK-së duke mohuar veprat penale, kanë gënjyer ndërkombëtarët, raporton Klankosova.tv.
Ndërsa për ish-presidentin Hashim Thaçin deklaroi, se siç tha ai, ka kërcënuar me vrasje.
“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”, tha prokurori.
10:13 - Howling: Robin dhe Clark, nuk kishin kurrfarë interesi për të kuptuar çfarë po ndodhte në realitet
Prokurori Matthew Howling, është duke dhënë deklaratat përfundimtare në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Në fjalën e tij, prokurori ka pretenduar se ish-krerët e UÇK-së kishin për qëllim të gënjenin ndërkombëtarët, ndërsa për ish-presidentin Hashim Thaçin deklaroi, se sipas tij, ka kërcënuar me vrasje, transmeton Klankosova.tv.
“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.
“Thaçi u ka bërë mohim krimeve. Ai gënjeu Abrahams se [të ndaluarit] janë trajtuar në mënyrë të rregullt”, tha Howling.
Pos tjerash, ai tha se të akuzuarit patën rol të fortë kolektiv në Shtabin e UÇK-së.
Ndërsa ai pretendoi se Thaçi në kohën e luftës ,askete të vërtetën.
“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë, është se Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtetë sesi funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Robin dhe Clark, treguan se nuk kishin kurrfarë interesi për të kuptuar çfarë po ndodhte në realitet”, tha ai.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
AH
SHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.